AKTUALITET /

SPAK merr në dorë skandalin e Onkologjikut, mjekëve u shtohet akuza e korrupsionit! Kërkohet rivlerësim i masave të sigurisë

Ndaj mjekëve të përfshirë në skandalin e Onkologjikut tashmë rëndon edhe akuza e korrupsionit.

Shkruar nga Versus
SPAK merr në dorë skandalin e Onkologjikut, mjekëve u shtohet
Mjekët, Alketa Pere (Ymeri), Edmond Gashi dhe ish-zv.drejtoresha Brikena Qirjazi

Tiranë- Pasi prokuroria e kryeqytetit shpalli moskompetencën, SPAK ka regjistruar sot procedim penal ndaj personave të përfshirë në skandalin e spitalit Onkologjik, ku pacientëve me kancer nuk u ofrohej shërbim duke i orientuar drejt klinikave private të mjekëve të punësuar në institucionin publik.

Ndaj mjekëve Edmond Gashi, Alketa Pere dhe ish-zv drejtoreshës së QSUT Brikena Qirjazi rëndojnë akuzat për, shpërdorim detyre dhe korrupsion. SPAK ka kërkuar nga GJKKO rivlerësimin e masave të sigurisë të caktuara nga gjykata e Tiranës ndaj personave të përfshirë në këtë skandal.

Masat në fuqi për të akuzuarit e dosjes 'Onokolgjiku':

-Edmond Gashi, mjek onkolog në spitalin e Onkologjikut– “Arrest shtëpie” - Shpërdorim detyre dhe korrupsion (hetohet edhe për thyerjen e masës së arrestit shtëpiak) pasi shkoi në lokal me të përfunduar seanca në gjykatën e Tiranës.

-Alketa Pere Ymeri mjeke onkolog në spitalin e Onkologjikut – “Detyrim paraqitje” - Shpërdorim detyre dhe korrupsion

-Brikena Qirjazi Ish zv.drejtoreshë e QSUT - “Detyrim paraqitje” - ''Shpërdorim detyre"

- Emiljano Lela Koordinatori pranë onkologjikut - “Detyrim paraqitje” - Shpërdorim detyre

-Drilona Kishta ish-specialist pranë QSUNT banuese në Amerikë - “Detyrim Paraqitje” - Shpërdorim detyre

-Halil Gashi administrator i klinikës  Megis, babai i mjekut Gashi – “Detyrim paraqitje” - Fshehje e te ardhurave 

-Florian Marku administrator farmacie – “Arrest shtëpie” për akuzën "Kontrabandë ilaçesh". 

Në seancën e zhvilluar, mjekët mohuan akuzat ndaj tyre. Hetimet e Prokurorisë së Tiranës zbuluan se mjeku Edmond Gashi, kishte në pronësi klinikën private "Megis" ku edhe i orientonte pacientët të sëmurë, madje duke ua shfaqur gjendjen e tyre akoma më të rënduar. 

Ndërsa mjekja Alketa Pere bashkëpunonte me të duke orientuar në klinikën e tij qytetarët. Ajo ishte e punësuar në të zezë në klinikë dhe kjo u zbulua falë përgjimeve të zbardhura nga prokuroria. Ndërsa ish-zv.drejtoresha Brikena Qirjazi akuzohet se nuk ka marrë masat për të vënë në punë pajisjen e kobaltit për trajtimin e të sëmurëve me kancer. 

Versus.al zbuloi se denoncimi për mos-përdorimin e kësaj pajisje dhe dëmeve që shkaktonte qëndrimi i saj në korridor, ishte denoncuar nga mjeku Adrian Hoti, por asnjë masë nuk u mor duke e thelluar skandalin. Versus.al

Poll