AKTUALITET /

SPAK nis verifikimet për kontratën 6 milionë dollarëshe të lobimit nga Partia Demokratike

Kjo është kontrata e dytë që PD lidh me individë të afërt me ish-presidentin Donald Trump, pas vizitës në Shqipëri të një prej strategëve të tij kryesorë, Chris Lacivita.

Shkruar nga Versus
SPAK nis verifikimet për kontratën 6 milionë dollarëshe
Fotomontazh: Berisha në SPAK dhe kontrata e lobimit

Zyra e shtypit e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka konfirmuar se ka nisur verifikimet lidhur me kontratën e lobimit të nënshkruar nga Partia Demokratike.

“Ju informojmë si vijon: Prokuroria e Posaçme ka nisur verifikimet në lidhje me kontratën e lobimit të subjektit politik Partia Demokratike”, thuhet në njoftimin zyrtar të SPAK.

Ky reagim vjen vetëm një ditë pasi u publikua lajmi për një kontratë lobimi me vlerë 6 milionë dollarë, që PD ka firmosur për një periudhë dyvjeçare me një kompani lobimi me seli në Uashington DC.

Sipas dokumentacionit të siguruar nga Versus.al, kontrata është firmosur më 4 prill nga sekretari i përgjithshëm i PD-së, Flamur Noka. Garant për marrëveshjen në Shtetet e Bashkuara figuron shtetasi Nuredin Seçi.

Kjo është kontrata e dytë që PD lidh me individë të afërt me ish-presidentin Donald Trump, pas vizitës në Shqipëri të një prej strategëve të tij kryesorë, Chris Lacivita.

Sipas përmbajtjes së marrëveshjes, "klienti (nëpërmjet garantuesit/garantuesve të tij) do t’i paguajë firmës një tarifë fikse mujore prej 250,000 dollarësh për një paketë të plotë shërbimesh, që përfshin lobim, avokim dhe iniciativa strategjike ligjore për një periudhë dyvjeçare. Pagesa për tre muajt e parë (pagesë paraprake) do të kryhet në momentin e nënshkrimit të marrëveshjes".

Kompania në fjalë, Continental Strategy, është një firmë konsulence dhe lobimi e krijuar në fillim të vitit 2022 nga ish-ambasadori Carlos Trujillo. Ajo është e specializuar në marrëdhënie me qeverinë dhe strategji politike.

Në kontratë specifikohet se firma do t’i ofrojë Partisë Demokratike shërbime për të ndërtuar marrëdhënie me aktorë kyç në degët ekzekutive dhe legjislative të SHBA-së, duke përfshirë mbështetje për promovimin e demokracisë, luftën kundër korrupsionit dhe reformat qeveritare, në përputhje me objektivat e PD-së dhe koalicionit të saj, Aleanca për Shqipërinë Madhështore.

“Aktivitetet mund të përfshijnë lobim, përgatitjen dhe shpërndarjen e materialeve informuese, si dhe kontakte me vendimmarrësit politikë amerikanë”, thuhet në kontratë.

Continental Strategy ka lidhje të ngushta me figurat kryesore të Partisë Republikane amerikane. Themeluesi Trujillo ka qenë këshilltar i fushatës së Trump dhe ambasador në Organizatën e Shteteve Amerikane. Kompania ka përfituar nga këto lidhje, sidomos pas rikthimit të Trump në presidencë.

Në strukturën drejtuese të firmës janë edhe emra të njohur si Katie Wiles, vajza e Susie Wiles – strateges kryesore të fushatës së Trump dhe aktualisht Shefe e Stafit të Presidentit. Gjithashtu, Alberto Martinez, ish-shef i stafit të Senatorit Marco Rubio për një dekadë, është emëruar Partner Menaxhues i zyrës në Uashington D.C.

Këto lidhje nënvizojnë ndikimin e fortë të Continental Strategy në politikën republikane dhe rrjetin politik të SHBA-së.

 

Dokumenta bashkëngjitur

Poll
Më poshtë do të gjeni dhe kandidatët e Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike për të gjitha qarqet: