Prokuroria e Posaçme është vënë në lëvizje për Zvërnecin ku ka sekuestruar të gjitha llogaritë e “Albanian Land Development” pas dyshimeve për tjetërsim të pronave.
Ditën e djeshme u zhvilluan kontrolle ndaj administratorit të kësaj kompanie Redi Struga i cili ka qenë ndërmjetësi me investitorët nga Katari. Ndërsa sot mësohet se në qendër të hetimeve është Artur Shehu i cili jeton në SHBA. Shehu dyshohet se drejtoi skemën e tjetërsimit të pronave në Zvërnec.
Urdhri i sekuestros së llogarive është firmosur nga prokurori i posaçëm, Altin Dumani. Pak ditë më parë, vëllezërit Khayyat nga Katari kanë transferuar në Bankën Kombëtare Tregtare 195 milionë dollarë, para të cilat do të përdoreshin për të paguar blerjen e tokave dhe fillimin e punimeve për ndërtimin e resortit.
Investitorët nga Katari, ortakë të Jared Kushner, kanë hapur dy kompani në Shqipëri për projektin e Zvërnecit. Fillimisht duke hapiur në Shqipëri degën e kompanisë së tyre Urbacon Trading and Contracting, një nga kompanitë më të mëdha të ndërtimit në botën arabe dhe më vonë përmes themelimit të kompanisë Sazan Operations Holding. Versus.al

