Një operacion i gjerë i SPAK, i zhvilluar në Tiranë pas një hetimi disa mujor dhe në bashkëpunim me autoritetet ndërkombëtare, ka zbuluar një tjetër skemë të sofistikuar mashtrimi përmes call center-ave, duke çuar në arrestime dhe hetime të reja që prekin edhe struktura të rendit.
Burime nga hetimi bëjnë me dije se aksioni u ndërmor pas sinjalizimeve të ardhura nga autoritetet franceze, të cilat kishin identifikuar aktivitet të dyshimtë që lidhej me mashtrimin e qytetarëve të huaj.
Në terren u angazhuan agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit, të mbështetur nga Policia e Shtetit, ndërsa kontrollet u shtrinë në disa ambiente në kryeqytet.
Në fokus të operacionit ishte një call center që ushtronte aktivitet pranë gjimnazit “Sami Frashëri”, i cili dyshohet se operonte i kamufluar pas një subjekti të ligjshëm.
Sipas të dhënave, aktiviteti fshihej pas kompanisë “IVISION.AL” shpk, ndërsa si pronar i dyshuar identifikohet Gentjan Pjetërgjokaj, i cili është arrestuar për “mashtrim me pasoja të rënda”. Administratore e kompanisë rezulton Anisa Muçollari.
Hetimet kanë nxjerrë në pah edhe përfshirje të mundshme brenda strukturave të rendit.
Gjatë operacionit, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ndaloi një efektiv policie, August Berberi, me detyrë në Komisariatin nr. 1 në Tiranë.
Atij iu sekuestrua telefoni celular dhe iu kontrollua banesa, ndërsa roli i tij në këtë aktivitet mbetet në verifikim.
Ky zhvillim vjen vetëm pak ditë pas një tjetër operacioni të madh në kryeqytet, ku u goditën tre call center-a mashtrues.
Aksioni çoi në arrestimin e 7 personave me masë “arrest me burg”, 2 të tjerë u lanë në “detyrim paraqitje” dhe “ndalim dalje jashtë vendit”, ndërsa 5 persona u arrestuan në flagrancë. Hetimet për këtë rast kishin nisur prej dy vitesh në Austri, ku ishte identifikuar edhe baza e mashtrimit, ndërsa dëmet e shkaktuara ndaj viktimave dyshohet se tejkalojnë 50 milionë euro.
Në vijim të hetimeve është zbuluar edhe një tjetër ambient në fshatin Bërzhitë, i regjistruar zyrtarisht si biznes në fushën e turizmit mjekësor, por që sipas dyshimeve shërbente si mbulesë për mashtrimin e qytetarëve të huaj.
Operacionet e njëpasnjëshme sugjerojnë ekzistencën e një rrjeti të strukturuar kriminal që përdor kompani fasadë dhe struktura të ligjshme për të maskuar aktivitetin mashtrues, ndërsa hetimet e SPAK pritet të thellohen për të identifikuar të gjithë personat e përfshirë dhe lidhjet e mundshme brenda dhe jashtë vendit./Versus.al

