
Një konflikt i çastit mes disa personave përfundoi në tragjedi mbrëmjen e djeshme në Memaliaj. protagonistët i drejtuan armët e zjarrit njëri-tjetrit, duke shkaktuar një viktimë e një të plagosur, ndërkohë që policia lokale ka zbardhur krimin dhe ka venë në pranga 4 persona, ndërsa dy të tjerë mbeten në kërkim.
Motivi dhe dinamika e ngjarjes së rëndë të ndodhur mbrëmjen e 21.04.2026 në Memaliaj janë zbardhur nga Policia e Gjirokastrës, ku si pasojë e një konflikti të çastit u vra shtetasi Endri Goxhaj dhe mbeti i plagosur shtetasi Dario Nela.
Sipas hetimeve, janë identifikuar të gjithë personat e përfshirë në këtë ngjarje, e cila ka degjeneruar nga një përplasje fizike në përdorim armësh zjarri, duke sjellë një viktimë dhe një të plagosur.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Rënda, nën drejtimin e Prokurorisë Gjirokastër, kanë vijuar hetimet intensive dhe kanë finalizuar veprimet e para procedurale, duke arrestuar disa persona dhe shpallur në kërkim të tjerë.
Janë arrestuar shtetasit Dario Nela, 25 vjeç, dhe A. K., 47 vjeç, të dy banues në Memaliaj, të akuzuar për “Vrasje me dashje”, kryer në bashkëpunim, si dhe për “Mbajtje pa leje të armëve dhe municionit”. Po ashtu, është arrestuar edhe shtetasi M., 41 vjeç, për “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.
Në kërkim janë shpallur shtetasit Donald Nela, 29 vjeç, dhe vëllai i tij M. Nela, 28 vjeç, të dy të dyshuar për “Vrasje me dashje” në bashkëpunim dhe armëmbajtje pa leje.
Gjithashtu, është proceduar penalisht shtetasi J. K., 44 vjeç, për “Deklarata të rreme përpara prokurorit”, si dhe shtetasi G. Q., 49 vjeç, për “Kanosje”.
Nga hetimet rezulton se ngjarja ka nisur si një konflikt fizik i çastit mes disa personave të përfshirë, përkatësisht grupit ku ishin 3 vëllezërit Nela dhe dy persona të tjerë dhe përballë tyre Endri Goxhaj u shoqëruar nga një person tjetër.
Gjatë përplasjes, dyshohet se shtetasi Endri Goxhaj ka qëlluar me armë zjarri dhe ka plagosur shtetasin Dario Nelaj, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Më pas, dy vëllezërit e tij, të shpallur në kërkim, dyshohet se kanë qëlluar me armë ndaj Endri Goxhaj, i cili humbi jetën gjatë transportimit për në spital.
Pas ngjarjes, autorët e dyshuar janë larguar me automjet dhe vijon puna për kapjen e tyre.
Në vendngjarje janë sekuestruar armë zjarri, municion luftarak, automjete, motomjete, celularë dhe prova të tjera materiale, të cilat do të shërbejnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të tragjedisë.
Materialet i janë referuar Prokurorisë së Gjirokastrës për veprime të mëtejshme.

