AKTUALITET /

Sterilizimi/ “Paske lexuar 50 mijë faqe ti?”, Beqaj refuzon avokatin që i caktoi GJKKO pas shtyrjes së gjyqit: Eja më tako në burg

Beqaj është i vetmi mes të pandehurve që nuk ka pranuar gjykim të shkurtuar. Seanca e radhës do mbahet pas 2 javësh për t'i dhënë kohë avokatit të ri të caktuar që të njihet me aktet hetimore.

Shkruar nga Versus
Sterilizimi/ “Paske lexuar 50 mijë faqe ti?”, Beqaj refuzon
Ish-ministri Ilir Beqaj gjatë paraqitjes së dëshmitar në komisionin hetimor të Sterilizimit

Gjykata e Posaçme ka shtyrë seancën paraprake për dosjen e koncesionit të “Sterilizimit” ku mes 9 të pandehurve është edhe ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj i cili akuzohet për shpërdorim detyre dhe grup kriminal në bashkëpunim me zëvendësin e tij, Klodian Rrjepaj dhe biznesmenin Ilir Rrapaj.

Shkak për shtyrjen e seancës u bë një deklaratë e avokatit Ermal Yzeiraj ku ai shprehej se nuk ishte në gjendje të mirë shëndetësore. Ndërsa e njëjta gjë u pretendua edhe nga vetë Beqaj i cili mungoi në seancën e kaluar duke argumentuar se është sëmurë dhe kërkoi që gjyqi të mos zhvillohej pa të.

Seanca e radhës është caktuar të mbahet pas dy javësh, ndërsa gjykata e posaçme caktoi Floruan Bonjakun si avokat për Beqajn duke i dhënë edhe kohë të njihet me aktet hetimore.

Nga ana tjetër Beqaj nuk ngurroi të shfaqte refuzimin e tij, duke iu drejtuar avokatit me fjalët: Paske lexuar 50 mijë faqe të dosjes? Hajde më tako në burg.

Aktualisht ish-ministri mbahet në burg për abuzimin me fondet e BE-së gjatë kohës kur drejtonte agjencinë "SASPAC". Ndërsa për aferën e "Sterilizimit", gjykata i kishte caktuar "detyrim paraqitje". 

Sa i takon hetimeve për “Sterilizimin”, SPAK thotë se janë përdorur kosto të rreme të shërbimi në QSUT për vitin 2013, duke vendosur vlerat e barnave dhe medikamenteve mjekësore, që nuk janë pjesë e këtij shërbimi. Kjo kosto është rritur dhe mbivlerësuar në mënyrë të rreme në masën 56.4%. Për këtë aferë janë marrë të pandehur 9 persona. Versus.al

Poll
Më poshtë do të gjeni dhe kandidatët e Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike për të gjitha qarqet: