Një person është arrestuar pak minuta më parë në Shkodër, pasi dyshohet se ka kryer të shtëna me armë zjarri pas një konflikti me një tjetër qytetar.
Sipas njoftimit të uniformave blu, 26 vjeçari me inicialet Altin Shpendi akuzohet se ka kërcënuar me armë 20-vjeçarin me incialet Xh.G pas një sherri të çastit dhe më pas ka qëlluar disa herë në ajër.
Ngjarja ka ndodhur në zonën e ish-Stacionit të Trenit. Fatmirësisht, nuk raportohen të plagosur apo dëme materiale.
Gjithashtu shërbimet e Policisë kanë bërë të mundur dhe gjetjen e armës së zjarrit me të cilën dyshohet se 26-vjeçari qëlloi në ajër gjatë konfliktit.
Njoftimi i policisë:
Shkodër
Kanosi një shtetas duke qëlluar në ajër me armë zjarri, gjatë një konflikti për motive të dobëta. Falë reagimit në kohë të shërbimeve të Policisë, identifikohet, kapet dhe vihet në pranga brenda nje kohe te shkurter pasi ndodhi konflikti.
Sekuestrohet arma e zjarrit, automatik.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me shërbimet e Patrullës së Përgjithshme, të mbështetura nga Forca e Posaçme “Shqiponja”, menjëherë pas marrjes së njoftimit se në lagjen “Tre Heronjtë”, një shtetas kishte kanosur me armë zjarri një shtetas tjetër, kanë organizuar punën për identifikimin e autorit dhe zbardhjen e rrethanave të rastit.
Falë reagimit në kohë të shërbimeve të Policisë, u bë e mundur identifikimi, kapja dhe arrestimi i autorit të dyshuar, shtetasit A. Sh., 26 vjeç.
Nga veprimet e para procedurale, dyshohet se pas një konflikti për motive të dobëta, shtetasi A. Sh. ka kanosur shtetasin Xh. G., 20 vjeç, duke qëlluar me armë zjarri, automatik, në ajër.
Shërbimet e Policisë kanë bërë të mundur dhe gjetjen e armës së zjarrit me të cilën dyshohet se 26-vjeçari qëlloi në ajër gjatë konfliktit.
Vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të rastit.
Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme./Versus.al
