AKTUALITET /

“Më goditën disa persona”, kambisti rrëfen momentin kur Talo Çela dhe grupi i tij i grabitën 12 mln lekë

Xhemal Liçi tha se e kishte identifikuar Talo Çelën nga një video e filmuar nga kamerat e një lavazhi pranë vendit ku ndodhi grabitja ndaj tij.

Shkruar nga Versus
“Më goditën disa persona”, kambisti rrëfen momentin
I shumëkërkuari Talo Çela

Në Gjykatën e Posaçme zhvillohet sot seancën e radhës për dosjen e Plumbit të Artë, operacionin e kryer nga SPAK pas dëshmive të vrasësit me pagesë Nuredin Dumani i cili u kthye në të penduar të drejtësisë.

Para trupës gjykuese ka dëshmuar kambisti Xhemal Liçi i cili ka rrëfyer sesi u dhunua brutalisht dhe u grabit në gusht të vitit 2012. Teksa e rrëfeu me detaje ngjarjen sesi u gjend mes goditjeve të disa personave, Lici rrëfeu se më vonë kishte arritur të identifikonte si autor Talo Çelën, të shumëkërkuarin nga SPAK.

Lici tha se atë mëngjes, si zakonisht, ishte nisur herët nga shtëpia, rreth orës 06:30. Ai mbante me vete 12 milionë lekë që i kishte futur në një çantë dhe i kishte vendosur në bagazhin e makinës së tij. Autorët gjendeshin brenda një makine tip “Peugeot” e cila ishte parkuar pranë banesës së tij.

“Jam pyetur disa herë në prokurori dhe polici për ngjarjen e ndodhur në 2012. Unë zakonisht dal në 06.30 nga shtëpia. Dola nga shtëpia dhe mora me vete 12 milionë lekë i futa në çantë. Në atë kohë kam patur BENZ me targë 4149. Futa në bagazh çantën me lekë u ktheva të mbyll derën e shtëpisë, pastaj me sulmuan. Më lanë aty, më gjuajtën dy herë në gjoks dhe në gju. Pash një makinë qe ishte e parkuar aty, në momentin që po shkoja te e imja. Ishte Peugeot e bardhë. Fillimisht ishte njëri që me sulmoi, pastaj erdhën të tjerët me goditën në fyt. Ishin disa lloje goditjesh, nuk e përballova, rashë në tokë. Pastaj u ngrita dhe humba ndjenjat. Ishin disa vetë, njëri mori lekët, tjerët u morën me mua. U godita me armë , lloji pistoletë. Ishin me kapuç të gjithë. Në 06:00-07:00 dilja nga shtëpia. Atë ditë qëlloi që mora lekë, sepse një tregtar më solli lekë në darkë. Në 2007 punoja kambist, lekët qe merrja i çoja në dyqan”, tha Liçi. 

Pas grabitjes, një person i quajtur Agim Lleshi i ka treguar kambistit se kishte një video në lavazh nga ku Liçi kishte arritur të identifikonte qartë Talo Çelën si një prej anëtarëve të grupit që e dhunuan dhe i morën paratë.

“Në gusht është puna më e madhe e kambistëve. Në atë kohë kam patur edhe një punonjës dhe një roje. Kam nisur në 1994 të punoj si kambist ilegal. Unë isha filial i dikujt tjetër, i Sokol Hazatit. Nga familja ime, gruaja kishte një dyqan ushqimor në atë kohë. Talo Çelën nuk e kam njohur në atë periudhë, as nuk e kam dëgjuar si emër deri në atë periudhë. I vëllai i tij, Bujar Çela vinte aty dhe pyeste si u bë ajo puna, a u gjetën ato njerëzit. I thash mos të të shoh më në dyqan. Ai interesohej se kush ishin ata që e bënë, unë i thash shih punën tënde dhe mos hajde më në dyqan nëse vjen për këtë punë. Nuk i vinte keq atij për mua, ishte i panjohur. Bujari punonte taksi, po jo me licencë. Përderisa pyeste disa herë, dinte diçka. I thashë mos hajde më këtu. Agim Lleshi më thonte do të çoj te një lavazh se kam një video. I thash ma trego sepse e përcaktoj. E pashë Talo Çelën dhe i thashë ky është ai që më ka goditur. Kur e pashë për herë të dytë në një interviste në televizor, i thash familjarëve të mi ky është personi. Kur foli Dumani pastaj, e kuptova që ishte ai. Talo Çela kishte një si maskë ngjyrë kafe dhe dukej”, dëshmoi ai. Versus.al

Poll