Mondi Mëhalla dhe Marselo Arani (i njohur dhe me nofkën Boli), raportohet se ishin konfliktuar me njëri-tjetrin një javë para vrasjes së Mëhallës në Elbasan, pasi një marrëveshje për shkëmbimin e 10 makinave me një apartament në Tiranë nuk kishte shkuar ashtu siç duhet.
Hetimet e deritanishme kanë zbuluar se Mondi Mëhalla dhe ortaku i tij në biznes Xhino Ago, disa kohë më parë i kanë dhënë rreth 10 makina Marselo Aranit.
Gazetari Elton Qyno raporton se dhënia e automjeteve besohet se është kryer në kuadër të një marrëveshje shkëmbimi me një apartament në Tiranë.
Por apartamentit ka rezultuar se ka qenë disa herë i shitur e për pasojë Mondi Mëhalla dhe “Boli”, janë përfshirë në konflikt.
Një javë para vrasjes së tij, Mondi Mëhalla është takuar me Marselo Aranin dhe i ka kërkuar që të kthente 10 makinat që i kishte dhënë, sepse marrëveshja e shkëmbimit me apartamentin në Tiranë ishte prishur, në kushtet kur Boli akuzohej se e kishte mashtruar Mondi Mëhallën.
Palët kanë diskutuar që në këmbim të apartamentit, makinat të shkëmbeheshin me një sasi kokaine, por debati mes tyre ka qenë i ashpër deri në pikën kur Mondi Mëhalla ka qëlluar disa herë me grushte Marselo Arapin.
Situata është ndërlikuar më tej pasi në sherr e sipër, të dy personat kanë kanosur me vrasje njëri-tjetrin.
Syri Tv citon burime policore të cilat janë shprehur se menjëherë pas sherrit me Mondi Mëhallën, Marselo Arani (Boli) dhe shoku i tij laçian Armando Kola, kanë kontraktuar si vrasës me pagesë të “fortin” e Prrenjasit, Nevzat Spaho.
Një javë pas këtyre kërcënime dhe konfliktit, në Elbasan në 30 Nëntor 2025, Mondi Mëhalla është vrarë më armë zjarri sapo ka dalë nga karburanti i tij "Xhaxhi Oil".
