Laert Haxhiu, i njohur si një nga figurat më të rrezikshme të botës së krimit në Shqipëri dhe shpesh i etiketuar si rivali i famëkeqit Aldo Bare, është ekstraduar nga Greqia drejt Shqipërisë, ku përballet me një dënim të përjetshëm të dhënë nga gjykata për ngjarjen e njohur si masakra e Lushnjës. Në këtë atentat të përgjakshëm u vranë Zamir Latifi dhe Jurgen Hoxha, ndërsa dy persona të tjerë mbetën të plagosur. Shënjestra kryesore ishte Xhulio Shkurti, nipi i Aldo Bares, dikur kreu i bandës së njohur të këtij qyteti.
Përtej kësaj dosjeje, një tjetër çështje e rëndë është zbërthyer nga bashkëpunëtori i drejtësisë Artan Tafani, i cili jo vetëm ka rrëfyer përfshirjen e Haxhiut në një sërë krimesh të rënda të urdhëruara ndër vite, por ka zbuluar edhe planet për atentate ndaj dy prokuroreve që hetonin Haxhiun, zonjat Metita Selimi dhe Doloreza Musabelliu.
Ky fakt ka ngritur shqetësime serioze për sigurinë e përfaqësuesve të drejtësisë dhe për përmasat e ndikimit të këtij grupi kriminal, që sipas hetimeve të deritanishme dyshohet të jetë i përfshirë jo vetëm në vrasje dhe atentate të shumta, por edhe në trafik ndërkombëtar të drogës./Versus.al







