AKTUALITET /

Shenjat e para të “flluskës” së ndërtimit në Tiranë, agjenti imobiliar: Tregu i shit-blerjes së apartamenteve po ‘ftohet’

Sipas Shkëmbit, investimi më i mirë në prona do të ishte në zonën ku personi që ka kapitalin jeton, pasi së fundmi ka patur shumë raste kur pagesat paraprake të kryera për ndërtimin e një kompleksi banimi kanë shkuar dëm pasi projekti nuk është realizuar.

Shkruar nga Versus

Shenjat e para të “flluskës” së ndërtimit

Pasi arritën majat duke u krahasuar me kostot e apartamenteve dhe vilave në zonat më prestigjoze të Evropës, çmimet e apartamenteve në Tiranë duket se kanë nisur ‘shfryrjen’. Të gjitha sinjalet e tregojnë një gjë të tillë të cilën edhe vetë agjentët imobilarë përpiqeshin ta fshihnin.

Së fundmi, agjenti i njohur imobilar Armand Shkëmbi, mes shumë të tjerëve që po deklarojnë të njëjtën gjë, ka thënë në një video se tregu i ndërtimeve dhe blerja apo shitja e apartamenteve ka nisur ‘ftohjen’ që përkthehet ndryshe në rënie të çmimeve ose mbetja në stok e apartamenteve të pashitura.

Sipas tij, shkak është bërë fakti që në Shqipëri ndërtimet bëhen në gropë dhe ndërtuesit nuk përdorin kapitalin e tyre, por paratë e porosive për apartamente. Këto godina jo gjithmonë ndërtohen, duke çuar në humbje parash deri në qindra mijëra euro.

"Tregu i pronave në Tiranë ka nisur që të japë shenja ftohje. Çfarë do të thotë kjo për ty si emigrant? Mos investo në gropa pallatesh sepse ka rrezik që ato të mos ndërtohen fare. Sepse ndërtuesit shqiptarë ndërtojnë me lekët e blerësve dhe jo me kapitalin e tyre. Dhe duke qenë se tregu ka nisur që të ftohet ata kanë më pak lekë për të ndërtuar dhe rrezikojnë që të mos i ndërtojnë fare pallatet. Nëse ke investuar në projekte të tilla para 6 muajsh apo para 1 viti është momenti ideal për t'i shitur këto prona dhe për të dalë nga kjo situatë në kohë. Në përgjegjësi unë do të sugjeroja që të mbaje në Tiranë apo në Shqipëri ndonjë pronë me të cilën ke lidhje emocionale, shtëpia ku je rritur, përndryshe pronat e tjera është e mira që t'i shesësh dhe t'i investosh aty ku ti jeton. Pse? Sepse tregu shqiptar është i mirë për spekulim, por jo për të dhënë me qera. Sepse kthimi nga qeraja është 4-5% ndërkohë që tregje si Anglia e Veriut psh. kthimi është 7% në vit", - shprehet në video Armand Shkëmbi.

Debati për tregun e ndërtimeve dhe të apartamenteve është kthyer prej kohësh në një temë të nxehtë në Shqipëri ku shpesh aludohet se ky sektor po përdoret nga krimi për të pastruar para duke qenë se çmimet për të cilat nxirren në shitje apartamentet apo vilat e ndërtuara janë aspak të arsyeshme dhe të papërballueshme për shumicën e qytetarëve shqiptarë. Versus.al

Poll