AKTUALITET /

Tentativa për vetëvrasje e policit që arrestoi djalin e Samir Manes, familja e tij: S'ka pasur presion, mos spekuloni!

Gjendja shëndetësore e efektivit paraqitet më e mirë, ndërsa familjarët e tij kanë bërë thirrje që të mos spekulohet lidhur me arsyet që e shtynë 57 vjeçarin në tentativën për t'i dhënë fund jetës.

Shkruar nga Versus

Tentativa për vetëvrasje e policit që arrestoi djalin e Samir

Familjarët e efektivit Azbi Spahiu, i cili u hodh nga kati i 11-të i pallatit kanë reaguar për herë të parë ndaj lajmeve se ndaj tij ishte ushtruar presion pasi kishte arrestuar djalin e biznesmenit Samir Mane.

Në reagimin e bërë, familjarët e efektivit i cili aktualisht gjendet i shtruar tek spitali i Traumës, kërkojnë që të mos spekulohet lidhur me rastin. Sipas tyre, veprimi drastik i ndërmarrë nga efektivi lidhet me situatë personale dhe jo me ndonjë presion të ushtruar ndaj tij.

Deklarata e plotë:

Në përgjigje të interesimit të mediave, ne, familja Spahiu, ndjejmë detyrimin të sqarojmë situatën e të afërmit tonë, Azbiut.

Ne dëshirojmë të shprehim falënderimet tona të sinqerta për të gjithë ata që, në këto ditë të vështira, na kanë qëndruar pranë. Në radhë të parë, falënderojmë miqtë, të afërmit, kolegët e punës dhe çdo person tjetër që ka treguar solidaritet, qoftë edhe pa pasur njohje të mëparshme me ne.

Fatmirësisht, gjendja shëndetësore e të dashurit tonë po përmirësohet dhe mezi presim që ai të rikthehet sa më parë në jetën dhe punën e përditshme.

Ne si familje kemi qenë gjithnjë të thjeshtë dhe larg qendrës së vëmendjes së medias apo opinionit publik. Situata aktuale ka krijuar shqetësim, jo vetëm për Azbiun, por edhe për ne si familje, miqtë dhe të afërmit tanë. Kjo vëmendje e tepërt dhe aludimet e pavërteta nuk ndihmojnë, përkundrazi, na e rëndojnë situatën. Për këtë arsye, ju lutemi të gjithëve që ta respektojnë privatësinë tonë dhe të mos merren me spekulime me çështjet personale, që as i di njeri e as ka pse t’i dijë.

Siç na kanë këshilluar edhe mjekët, ajo që i duhet më shumë tani Azbiut është qetësia. E vlerësojmë shumë interesimin dhe mbështetjen e gjithkujt, por kërkojmë mirëkuptim që asnjë veprim të mos ndërmerret në emrin tonë, sepse nuk na ndihmon.

Për të gjithë ata që janë shqetësuar për shëndetin dhe sigurinë e Azbiut, dëshirojmë të konfirmojmë se kjo është një situatë personale dhe nuk lidhet aspak me ndonjë presion për shkak të detyrës nga eprorë, kolegë, qytetarë apo biznesmenë, siç është aluduar në disa raste.

E falënderojmë secilin prej jush që ka treguar mbështetje të sinqertë. Jemi mirënjohës!

Në orët e para të 12 janarit, policia mori njoftim për një makinë që kishte përplasur 2 mjete të parkuara pranë Kuvendit dhe ishte drejtuar për tek zona e njohur si “9-katëshet”. Rezultoi që drejtues i makinës ishte Martin Mane, djali i biznesmenit Samir Mane.

Sipas njoftimit të publikuar nga policia ditë pas tentativës së vetëvrasjes nga ana e Spahiut, Martin Mane refuzoi 2 herë që të kryente testin e alkoolit duke pretenduar se ishte alergjik. Pas kundërshtimit të Manes, efektivi Azbiu Spahiu ka kryer procedurat për ta shoqëruar në komisariat ku qëndroi për pak orë sepse u dërgua në spital duke thënë se nuk ndihej mirë.

Në të njëjtën ditë, prokurorja e cilësoi të paligjshëm arrestimin e të riut dhe ndaj efektivit Azbi Spahiu nisën verifikimet për ekspertim të rremë. Më 15 janar, efektivi Azbi Spahiu u hodh nga kati i 11-të i një pallati duke tentuar t’i japë fund jetës. Mesazhi i fundit që ai raportohet të ketë dërguar është ai kundrejt të birit të cilit mësohet t’i jetë shprehur “po përpiqen të më shkatërrojnë karrierën me lojëra”.

Ngjarja ngjalli shumë reagime në publik me idenë se polici mund të jetë ndjerë në presion nga fuqia e biznesmenit Samir Mane. Për rastin është paralajmëruar edhe një protestë ditën e hënë në orën 17:00 në sheshin Skënderbej dhe ministrinë e Brendshme. Versus.al

Poll