Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha të martën se Presidenti i SHBA-së Donald Trump e ka ftuar atë në një takim në Shtëpinë e Bardhë më 29 shtator, tre ditë pasi Netanyahu është planifikuar të flasë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.
Ky do të jetë takimi i katërt midis dy udhëheqësve që kur Trump mori detyrën më 20 janar dhe ata kanë folur disa herë në telefon.
Njoftimi u bë gjatë një konference për shtyp mbi çështjet ekonomike, pas raportimeve se zyra e tij kishte kërkuar takimin.
Netanyahu tha se ftesa u bë gjatë një telefonate të hënën. Ai shtoi se kishte pasur disa biseda me Trump që nga sulmi i Izraelit ndaj udhëheqësve të Hamasit në Katar dhe se të gjitha kishin qenë "të mira".
I pyetur nëse e kishte informuar Trumpin para sulmit në Doha të Katarit, Netanyahu përsëriti deklaratën e tij se versioni i ngjarjeve i Shtëpisë së Bardhë ishte "i saktë" dhe se Izraeli ishte i vetmi përgjegjës për sulmin.
Megjithatë, raporton Times of Israel, ai refuzoi të përgjigjej konkretisht kur u pyet se kur Izraeli e paralajmëroi SHBA-në. Dje, raportet thanë se Trump ishte informuar pothuajse një orë para sulmeve, kohë e mjaftueshme për t'i parandaluar ato nëse donte. Ai tha konkretisht për sulmin se ishte i justifikuar. "Katari është i lidhur me Hamasin, ai strehon Hamasin, ai financon Hamasin. Ka leva të fuqishme [domethënë që mund t'i aktivizojë], por zgjodhi të mos e bënte. Prandaj, veprimi ynë ishte absolutisht i justifikuar."







