BOTA /

BE vendos tarifa doganore për blerje nga Temu, AliExpress dhe kompani të tjera kineze

Bashkimi Evropian ka hequr përjashtimin doganor që lejonte që dërgesat e vogla nga vendet e treta të hynin në bllok pa paguar doganë

Shkruar nga Versus

BE vendos tarifa doganore për blerje nga Temu, AliExpress dhe kompani

Nga 1 korriku, blerjet online jashtë BE-së me vlerë deri në 150 euro do të kenë tarifë doganore, ka njoftuar Komisioni Evropian (KE)

Bëhet fjalë për rregulla që kanë për qëllim krijimin e kushteve më të barabarta për kompanitë e BE-së dhe forcimin e mbrojtjes së konsumatorëve.

Bashkimi Evropian ka hequr përjashtimin doganor që lejonte që dërgesat e vogla nga vendet e treta të hynin në bllok pa paguar doganë.

Kjo do të thotë se konsumatorët evropianë nuk do të mund të blejnë më mallra përmes platformave të njohura kineze si Shein, Temu dhe AliExpress me kushtet e deritanishme, për shkak të të cilave, produktet e tyre shpesh ishin dukshëm më të lira se mallrat e prodhuara në Bashkimin Evropian.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se ky ndryshim synon të krijojë kushte më të drejta për kompanitë evropiane dhe të sigurojë mbrojtje më të mirë për konsumatorët.

“Shumë prej këtyre produkteve nuk i përmbushin standardet e sigurisë së BE-së, duke i ekspozuar konsumatorët ndaj rrezikut”, shkroi ajo në X.

Sipas njoftimit të KE-së, mallrat e blera online nga vendet e treta dhe që dërgohen drejtpërdrejt te konsumatorët tani i nënshtrohen një tarife doganore prej 3 eurosh për çdo kategori produkti.

Këtë tarifë formalisht do ta paguajnë platformat online ose kompanitë që shesin dhe importojnë mallrat. Megjithatë, Komisioni Evropian pranoi se nuk mund të parashikohet nëse kjo kosto shtesë do t’u bartet konsumatorëve përmes çmimeve më të larta të produkteve.

Brukseli thotë se rregullat e reja do të barazojnë kushtet e biznesit mes tregtarëve evropianë që importojnë mallra me shumicë dhe platformave të mëdha online jashtë BE-së.

Në të njëjtën kohë, pritet që ato të kontribuojnë edhe në zgjidhjen e problemeve mjedisore të lidhura me rritjen e shpejtë të tregtisë elektronike, përfshirë shtimin e mbetjeve nga paketimet dhe emetimet që krijohen gjatë transportit.Versus.al

 

Poll