
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu i është përgjigjur deklaratave të fundit të presidentit turk Recep Tayyip Erdogan kundër Izraelit, duke i bërë thirrje atij të “qetësohet” dhe duke paralajmëruar se Izraeli nuk do të tolerojë asnjë kërcënim ndaj sigurisë dhe ekzistencës së tij. Në një intervistë për televizionin izraelit Channel 14, Netanyahu tha se retorika gjithnjë e më e ashpër e Ankarasë është shqetësuese dhe e lidhi atë me ndryshimet e fundit gjeopolitike në rajon.
“Ajo që po ndodh në Turqi është rezultat i dobësimit të ndikimit të Iranit. Irani përfaqëson boshtin ekstremist shiit, ndërsa Turqia përfaqëson boshtin e Vëllazërisë Myslimane, një lëvizje po aq ekstremiste,” u shpreh ai. Duke komentuar deklaratat e Erdoganit për Jerusalemin, Netanyahu tha se presidenti turk “ka harruar se 400 vitet e Perandorisë Osmane kanë marrë fund”.
“Sot ekziston një shtet i fortë i quajtur Izrael. Ekzistojnë Forcat e Armatosura Izraelite, ekziston populli i Izraelit dhe qeveria e Izraelit. Do të ishte e mençur që ai të qetësohej,” deklaroi kryeministri izraelit. Netanyahu theksoi se Izraeli nuk do të lejojë askënd të kërcënojë sigurinë apo ekzistencën e vendit. “Ne nuk do të lejojmë askënd të kërcënojë ekzistencën tonë apo sigurinë tonë. Besoj se kemi treguar se çfarë jemi të aftë të bëjmë,” tha ai. Deklaratat e tij vijnë pas përshkallëzimit të retorikës nga zyrtarët turq në javët e fundit. Sipas raportimeve, ministri i Brendshëm i Turqisë ka bërë thirrje për “çlirimin” e Jerusalemit, ndërsa mediat izraelite dhe perëndimore kanë raportuar se Erdogan, gjatë lutjes së Fitër Bajramit në mars 2025, kishte lutur Zotin për “shkatërrimin e Izraelit sionist”.
Në intervistë, Netanyahu komentoi edhe marrëdhëniet me Egjiptin, pas raportimeve për shtimin e pranisë ushtarake egjiptiane në Gadishullin e Sinait. “Kam zhvilluar diskutime me autoritetet egjiptiane dhe u kam bërë të qarta pritshmëritë tona. Disa prej tyre tashmë po zbatohen. Bëhet fjalë për respektimin e marrëveshjeve ekzistuese mes dy vendeve,” tha ai, pa dhënë detaje të tjera. Në përfundim, kryeministri izraelit theksoi se ekuilibrat në Lindjen e Mesme po ndryshojnë vazhdimisht dhe se Izraeli duhet të vazhdojë të forcojë pozitat e tij. “Kur një fuqi tërhiqet, një tjetër e zë vendin e saj. Kështu funksionon gjithmonë gjeopolitika. Fuqia që duhet të vazhdojë të rritet është shteti i Izraelit,” përfundoi Netanyahu. Versus.al

