Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka lënë sot në fuqi vendimin e dhënë nga Shkalla e Parë ndaj ish-kryebashkiakut të Durrësit, Vangjush Dako, dhe bashkëpandehurit Adrian Bulku, duke rrëzuar përfundimisht ankimet e tyre.
Vendimi u shpall këtë të hënë, më 16 shtator 2025, nga trupa gjykuese e përbërë nga gjyqtarët Engert Pëllumbi (kryesues), Miliana Muça dhe Iliriana Olldashi, të cilët konfirmuan dënimet përkatëse pa ndryshime.
Llogaritja e dënimit: Dakos i mbeten 11 ditë në qeli
Për Dakon, kjo do të thotë rikthim në burg, pasi dënimi i tij nuk është shlyer ende plotësisht. Ai ka qëndruar 6 muaj në paraburgim dhe më pas ka vuajtur 13 muaj në arrest shtëpie, periudha që do të zbriten nga vendimi përfundimtar.
Sipas deklaratës së avokatit mbrojtës, dënimi i Dakos përfundon më 27 shtator, çka do të thotë se i mbeten edhe 11 ditë për të përfunduar vuajtjen e plotë të dënimit.
Vendimi i sotëm i Apelit i hap rrugë zbatimit të menjëhershëm të masës – me përllogaritjen ligjore në proces, pritet që Dako të transferohet në qeli brenda orëve në vijim. Versus.al







