Detaje të reja janë mësuar nga skema e skandalit të Spitalit Onkologjik për të cilin u morën nën hetim disa mjekë dhe zv.drejtoresha e QSUT-së të cilët më pas u shkarkuan me vendim të ministres së Shëndetësisë, Albana Koçiu.
Zbulimet e reja lidhen me problemin që kishte ngritur vetë mjeku Ardian Hoti për pajisjen “Kobalt-terapie”, gjë për të cilën foli edhe për Versus.al duke treguar se shqetësimi për këtë pajisje ishte ngritur edhe më herët gjatë vitit 2021, jo vetëm nga ai.
Lidhur me këtë fakt, mësohet se Kontrolli i Lartë i Shtetit kishte bërë një audit gjatë vitit 2022 rreth situatës në këtë spital, ku zbuloi një numër të madh shkeljesh, mes tyre edhe aparaturën e kobaltit për trajtimin e kancerit që ishte lënë jashtë çdo standarti duke rrezikuar jetën e shumë njerëzve me rrezatimin e saj.
Asnjë kallëzim nuk është bërë në prokurori nga KLSH pavarësisht shkeljeve të gjetura në raportin e 2022-it. Mësohet se Prokuroria do të sekuestrojë raportin në cilësinë e provës materiale, ndërsa pritet të merren në pyetje edhe inspektorët për të dhënë shpjegime pse nuk e kishin kallëzuar shkeljen e rëndë që kishte zbuluar raporti.
Sa i takon operacionit të koduar “Rrugëtimi”, vitin e kaluar u vunë nën akuzë 18 persona pasi bashkëpunonin me njëri-tjetrin për të tregtuar medikamente të ndryshme kontrabandë nga Greqia, Italia dhe Kosova më pas i shnisnin në farmaci të ndryshme në Tiranë, Elbasan, Fier dhe Vlorë me çmime shumë të larta. Siç u zbulua edhe nga hetimet e prokurorisë, ilaçe të caktuara për trajtimin e kancerit, shiteshin në këto farmaci deri në 1500 euro dhe ishin vetë mjekët e Onkologjikut që i drejtonin pacientët në këto farmaci.
Dy mjekët Edmond Gashi dhe Alketa Ymeri (Pere) së bashku me nëndrejtoreshën e QSUT Brikena Qirjazi u vunë nën hetim nga SPAK pasi akuzohen se kanë shpërdoruar detyrën duke mos u dhënë shërbim qytetarëve dhe duke i drejtuar ata tek klinika private dhe farmaci me barna që ishin futur kontrabandë në vendin tonë të cilat i blinin me shuma deri në 1500 euro. Kordinatori i spitalit të Onkologjikut, Emiljano Lela luante rolin e “sekserit” duke gjetur pacientë të sëmurë që i çonte tek klinika “Megis” në pronësi të mjekut Edmond Gashi, ku ishte e punësuar edhe doktoresha Alketa Ymeri (Pere). Dosja e përgjimeve zbulon megaskandalin ku mësohet se as pajisja për trajtimin e kancerit nuk ishte vënë në punë edhe pse ishte sjellë në vitin 2021. Ministrja Albana Koçiu reagoi pas skandalit duke shkarkuar menjëherë nga detyra, mjekët përgjegjës dhe zv.drejtoreshën. Për skandalin, sot në Kuvend do të zhvillohet një interpelancë e kërkuar nga PD me ministren e Shëndetësisë, Albana Koçiu gjatë seancës plenare. Versus.al








