
Elbasan- Gjykata ka liruar nga burgu Denis Hasallën, vëllain e deputetit të Partisë Socialiste Saimir Hasalla.
Pak ditë më parë gjatë kontrollit në banesën e tij në kuadër të hetimit të nisur në 2024-ën për djegien në fushën e mbetjeve, u gjetën 30 fishekë luftarakë të cilët u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, ndërsa Hasallës iu vunë prangat.
Sot ndaj tij është caktuar masa “detyrim paraqitje” me kërkesë të prokurorisë. E njëjta masë u caktua edhe për Bledar Çullhajn të cilit iu gjet një armë e ftohtë në banesë.
Banesa e 35 vjeçarit Denis Hasalla me detyrë Drejtor Kabineti dhe mbikqyrës i menaxhimit të mbetjeve urbane në Bashkinë e Peqinit, ishte një prej 14 banesave që u kontrolluan me urdhër të prokurorisë lidhur me hetimet që po kryheshin prej një viti për djegien e mbetjeve në landfillin e inceneratorit të Elbasanit.
Deri më tani asnjë person nuk është vënë para përgjegjësisë për masakrën mjedisore që u shkaktua në korrik të vitit të kaluar dhe u përsërit sërish këtë vit duke bërë që qytetarët të raportonin probleme në frymëmarrje për shkak të tymit toksik që pushtoi qytetin dhe fshatrat përreth për 6 ditë radhazi. Versus.al







