
Prej pesë ditësh qytetarët e Elbasanit po zgjohen dhe flenë nën praninë e tymit toksik si pasojë e zjarrit që ka përfshirë landfillin e mbetjeve pranë inceneratorit që supozohet të merrej me trajtimin e tyre.
Pavarësisht punës së zjarrfikësve, flakët vijojnë të djegin mbetjet dhe të shkaktojnë katastrofë mjedisore në gjithë zonën.
Ditën e djeshme disa qytetarë edhe pse të paktë në numër zhvilluan një protestë para bashkisë së Elbasanit dhe prokurorisë së rrethit për t’u bërë thirrje që të ndërmarrin veprime ndaj përgjegjësve.
Deri më tani nuk ka asnjë person të proceduar për zjarrin, për të cilin kompania shtetërore “Eco Elb” që ka përgjegjësi të merret me menaxhimin e landfillit që duhet të trajtojë mbetjet thotë se ka qenë i qëllimshëm.
Versus.al u interesua pranë kësaj kompanie për të marrë më shumë informacion lidhur me përgjegjësitë që ka në këtë situatë pasi duhet të ishte garante e mirëfunksionimit të landfillit që trajton mbetjet, por nuk mori asnjë përgjigjie. E njëjta heshtje përcillet edhe nga prokuroria e Elbasanit e cila nuk ka patur përgjigjie për interesimin tonë lidhur me veprimet ligjore të ndërmarra për këtë krim mjedisor që po rrezikon prej 5 ditësh jetët e qytetarëve të Elbasanit. Versus.al







