
Gjykata e Posaçme ka lënë në fuqi masën arrest me burg për Dashnor Dumanin, ndërsa për Armis Stafën, tregtarin e makinave që pastronte paratë e Çopjave, u caktua masa "arrest shtëpie".
Të dy u ekstraduan nga Dubai disa ditë më parë pasi emrat e tyre përmenden në dosjen e megaoperacionit "Plumbi i Artë" ku janë të përfshirë dhjetëra persona që akuzohen për krime të ndryshme.
Dashnor Dumani, është vëllai i Nuredin Dumanit, vrasësist me pagesë që u kthye në bashkëpunëtor të drejtësisë duke rrëfyer krimet ku kishte marrë pjesë dhe ato për të cilat kishte dijeni. Dashnor Dumani akuzohet se ka marrë pjesë në grabitjen e 4.6 milionë eurove në Rinas në 2019-ën.
Gjithashtu akuzohet si pjesë e grupit të autorëve që kryen masakrën e Bradasheshit në 2018-ën ku u ekzekutuan Endrit Alibej, daja i tij dhe një shtetas turk.
Nga ana tjetër, Armis Stafa akuzohet se ka qenë pjesë e organizatës kriminale të vëllezërve Hajdar dhe Franc Çopja në Elbasan dhe se pastronte paratë e tyre të krimit nëpërmjet tregtimit të makinave. Versus.al







