AKTUALITET /

U fikën dritat gjatë operacionit të 15 vjeçarit që vdiq? Reagon spitali i Durrësit

Shkruar nga Versus

U fikën dritat gjatë operacionit të 15 vjeçarit që

Spitali i Durrësit ka reaguar lidhur me pretendimet e bëra nga familjarët të cilët denoncuan kushtet skandaloze të spitalit dhe mes të tjerash spekulimet nëpër media se gjatë operacionit të zhvilluar ditë më parë për 15 vjeçarin, ishin fikur dritat.

Në reagim thuhet se çdo gjë në spital është funksionale dhe mohohet që të jenë fikur dritat gjatë operacionit.

“Duke shprehur ngushëllimet më të sinqerta për familjen e të miturit E.B, i cili humbi jetën informojmë opinionin publik se pacienti është paraqitur në gjendje jashtëzakonisht të rëndë, në shok traumatik–hemorragjik.

Ekipet mjekësore kanë ndërhyrë menjëherë me procedura emergjente të specializuara, duke arritur stabilizimin fillestar dhe trajtimin intensiv pasues. Komplikacionet e zhvilluara janë pasojë e gjendjes kritike dhe arrestit kardiak traumatik. Në vijim të publikimeve mediatike mbi pretendimin se gjatë ndërhyrjes kirurgjikale në Spitalin Rajonal Durrës “kanë ikur dritat”, sqarojmë opinionin publik si më poshtë:

Pas verifikimeve të kryera me ekipet e sallës së operacionit, anestezistët dhe stafin e reanimacionit, nuk është konstatuar asnjë ndërprerje energjie gjatë operacionit të pacientit në fjalë. Sistemi i gjeneratorit aktivizohet automatikisht dhe pajisjet jetike kanë bateri të brendshme rezervë, që sigurojnë vazhdimësi të plotë edhe në rast të luhatjeve të mundshme.

Gjithashtu, ashensorët e spitalit janë funksionalë dhe të mbuluar me kontratë aktive mirëmbajtjeje, me mekanizma ndërhyrjeje të menjëhershme në rast defektesh. Spitali Rajonal Durrës është i angazhuar për garantimin e kujdesit shëndetësor dhe bashkëpunon plotësisht me institucionet kompetente për sqarimin e ngjarjes”, sqaron publikisht spitali. Versus.al

Poll