Tiranë- 14 vjeçari L.M i cili mbeti i plagosur me thikë në ngjarjen e ndodhur te “Fan Noli” ku u vra shoku i tij M.C, është nisur sot për kurim në Itali.
Nisja e të miturit është bërë rreth orës 06:00 të mëngjesit dhe pritet të shtrohet në një spital në Bari për të marrë trajtim më të specializuar.
Për 14 vjeçarin, familjarët e tij hapën një “Gofundme” për të mbledhur shumën prej 80 mijë eurosh për kurimin e tij, paçka se në një reagim nga Spitali i Traumës thuhej se i ishte garantuar shërbimi shëndetësor i nevojshëm.
Në llogarinë e hapur më 28 nëntor, theksohej se prindërit e të miturit nuk kishin mundësi ekonomike të paguanin spitalin. Si pasojë e sherrit tragjik, L.M mori 4 plagë me thikë në trup, konkretisht në stomak, shpinë dhe mushkëri.
Në dëshminë e dhënë, ai vijon të këmbëngulë se në vendngjarje ka qenë edhe një autor i dytë që e ka goditur atë dhe shokun e ndjerë që humbi jetën në përleshje. Pavarësisht kësaj, policia ka dalë me deklaratë zyrtare duke bërë me dije se kamerat tregojnë vetëm autorin e arrestuar me thikë në dorë. Versus.al








