Policia ka arrestuar në flagrancë këtë të mërkurë Irini Shehun, ish drejtoreshën e Spitalit Rajonal të Dibrës, pasi dyshohet se ka përndjekur drejtorin aktual të spitalit, Rruzhdi Deden.
Ndaj Shehut ka pasur një sërë kallëzimesh për fyerje, kërcënime dhe përndjekje ndaj punonjësve të institucionit ku ajo drejtoi deri disa javë më parë.
Shehu, 44 vjeçe, ishte prej disa javësh nën hetim në gjendje të lirë për veprën penale të përndjekjes, pasi u përfshi në një skandal të bujshëm brenda ambienteve të spitalit.Përfundon në spital 14-vjeçari në Dibër, dyshohet se ra nga lartësia e murit rrethues së shkollës
Sipas burimeve zyrtare, gjatë kësaj periudhe ajo ka vijuar të kërcënojë dhe ngacmojë ish-vartësit e saj.
Rasti më i fundit ka ndodhur vetëm një ditë më parë, kur kryeinfermierja Shpresa Biçi, 48 vjeçe, ka bërë kallëzim në polici duke pretenduar se Shehu e ka kërcënuar me mesazhe dhe telefonata pas një debati të ndodhur në mesditë.
Policia e Dibrës ka konfirmuar se ka proceduar penalisht Shehun për veprën “Përndjekja” dhe, me urdhër të Prokurorisë, ajo është vënë në pranga. Aktualisht ndodhet nën mbikëqyrjen e forcave të rendit në një nga dhomat e Spitalit Rajonal, duke u përpjekur të shmangë arrestin përmes pretendimeve për gjendje të rënduar shëndetësore.
Vetë Shehu e ka cilësuar arrestimin si të padrejtë dhe të pabazuar në prova konkrete.
Ngjarjet e fundit vijnë pas një incidenti të ndodhur më 11 shkurt, ku Shehu, gjatë një debati me shefin e financave Shaban Uklala, e kishte sulmuar këtë të fundit fizikisht me një kapëse metalike letrash, çka çoi në shkarkimin e saj nga detyra. Pavarësisht largimit, ajo dyshohet se ka vijuar të intimidojë punonjësit e spitalit.
Ngjarja ka ngjallur shqetësim në komunitetin spitalor dhe autoritetet thonë se hetimet do të vijojnë për të sqaruar plotësisht situatën dhe për të garantuar sigurinë e stafit shëndetësor.








