Disa prej përgjimeve të shumëpërfolura të kryera ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj në paraburgimin e Durrësit, janë publikuar së fundmi në media ku përmenden emra të ndryshëm zyrtarësh të lartë shteti dhe pronarë e analistë mediash.
Për këtë ka kërkuar nga Ajola Xoxa dhe Arbër Veliaj që të angazhojnë të gjithë të njohurit dhe miqtë, shtetasit Mero dhe G.S. që t’ia kërkojnë këtë gjë Ministrit të Drejtësisë.
Një prej përgjimeve që ka tronditur opinionin publik është ai ku Veliaj shpërthen me fjalë fyese ndaj ministrit të Drejtësisë, Ulsi Manja. Sipas përgjimeve të publikuara nga Cna.al kryebashkiaku i kërkon bashkëshortes së tij Ajola Xoxës dhe vëllait të tij Arbër Veliaj që të angazhojnë të njohurit që t’i kërkojnë Manjës që mos t’i bëhen kontrolle në qeli.
“Përpjekjet e shtetasit nën hetim Erjon Veliaj te ministri i Drejtësisë, në mënyrë që të mos transferohet në IEVP tjetër dhe të shmanget nga kontrollet që i bëhen në dhomat e paraburgimit. Për këtë gjë, shtetasi nën hetim bisedon me bashkëshorten dhe vëllain e tij, që të angazhojnë të njohurit, miqtë, shokët, shtetasit Mero dhe G.S, të cilët duhet të kërkojnë te ministri i Drejtësisë këtë gjë.
I kërkon që të merret me Ministrin e Drejtësisë, pasi sipas tij i kanë bërë zbor në burg, dhe nuk e pranon këtë sjellje duke e lënë me njerëz që kanë 100 vite burg, dhe se i ka rrezikuar jetën. Ajola i tregon se me të kanë folur të gjithë. Në lidhje me Ministrin e Drejtësisë, Erion Veliaj shprehet se i ka rrezikuar jetën, nuk do ta falë dhe do ta mbysë me thonj. I tregon se në lidhje me transferimin e pritshëm, punonjësit në IEVP, i kanë treguar e-mailin e dërguar prej tij, ku gjenden shtatë emrat për transferim. Ministrit të Drejtësisë i drejtohet me fjalët "Qelbësirë” dhe nuk ka për tía falur. Më të njëjtin fjalor flet edhe për Prokurorin Ols Dado, madje në bisedë me Ajolën i shprehet: "Le ta dëgjojnë të gjithë, qelbësirë, atij s'kam për t'ia fal, as Ols Dados, por sidomos Ulsi Qelbësirës..." Biseda e Erion Veliajt me Ajolën vazhdon ku ai flet sërish për Ministrin e Drejtësisë, të cilin e quan qelbësirë, katunar i ndyrë, i ndyrë, i cili sipas tij e ka futur në burg dhe e ka vënë në gjumë, e nuk pranon që t'i bëhen kontrolle”, thuhet në përgjimet ku flet për Manjën.
Një tjetër moment i përgjimeve është biseda mes Veliajt dhe Ajola Xoxës ku kryebashkiaku i kërkon që të mos paraqitet në ambasadën e SHBA ku i ishte kërkuar që të paraqitej.
“Në orën 16:00, shtetasja Ajola Xoxa kontaktohet nga Konsullata Amerikane, nga ku i kërkohet të paraqitet në datë 19.02.2025 pranë Ambasadës Amerikane në Tiranë. Ajola Xoxa e informon se për shkaqe shëndetësore e ka të pamundur dhe e lënë për të biseduar për një datë tjetër."
Madje më tej Veliaj përmend emrin e Aleksit (që dyshohet të jetë Alex Soros) duke i thënë Xoxës se sapo të vijë ai, do rregullohen gjërat dhe s’ka nevojë të japë llogari për një shtet tjetër.
Presioni ndaj institucioneve të drejtësisë
Pas reagimit që Këshilli i Lartë i Prokurorisë pati për sulmet e bëra ndaj prokurorit të posaçëm të SPAK, Ols Dado, përgjimet e bëra në bisedën që Veliaj ka pasur me vëllain e tij, tregojnë se i kërkon që të flasë me miqtë e tij deputetë që të merren me presionin ndaj funksionarëve të drejtësisë.
“Intensifikimi i fushatës mediatike në kohën që data e gjykimit të masës së sigurimit në Gjykatën e Apelit afron me qëllim që të ndihet presioni kundrejt funksionarëve të drejtësisë. Po kështu, një tjetër moment për t'u theksuar është biseda rreth KLP-së në lidhje me deklaratën në mbrojtje të veprimeve të Prokurorisë së Posaçme.
Për shtetasin nën hetim, Erion Veliaj, kjo është e papranueshme dhe anormale, për sa kohë që ata janë votuar në Parlament nga shumica e qeverisë. Për këtë, i kërkon shtetasit Arbër Veliaj që të bisedojë me ‘miqtë deputetë që merren me këtë gjë’”- thuhet në dosjen hetimore të përgjimeve.
Emrat e preferuar për ta vizituar Veliajn në qeli
Gjatë një komunikimi me Ajola Xoxën, Veliaj i ka kërkuar që të flasë me drejtorin e përgjithshëm të burgjeve, Klevis Qosen dhe t’i thuhet që në takimet me të mund të shkojnë persona të caktuar, mes të cilëve deputeti Toni Gogu, nënkryetarja e shkarkuar e bashkisë Sara Goxhaj, të cilën Veliaj e emëroi më parë si kryetare në detyrë, por pas ndërhyrjes së Ramës, vendimi i tij u zhbë.
“Në orën 20:08, Erion Veliaj bisedon me Ajolën, por në një moment të komunikimit të tyre, ndërhyn Arbri. Erioni i kërkon Arbrit që të flasë me Klevisin e Burgjeve, numrin e të cilit duhet ta ketë Admiri, e t’i thuhet që në takim me Erionin mund të shkojë Mero, Ylli Manjani, Mondi, Ton Gogu, Admiri, mund të shkojë në takim edhe Sara, çdokush tjetër, por thjesht t’i thuhet Klevisit dhe ai do të japë Okej. I thotë se ka porosi për të dhënë, dhe se në takim mund të shkojnë edhe përfaqësues të feve. Në komunikim, Erioni i thotë nëse po merren me ‘gjërat’ apo e kanë harruar fare. Arbri e vë në dijeni se çdo ditë po merren. Erion Veliaj i kërkon Arbrit që të merret me median, pasi duhet mbajtur ai presioni (duke nënkuptuar fushatën mediatike). Në fund të komunikimit, Erion Veliaj i kërkon që t'i dërgojë për të lexuar materialin e Ilir Yzeirit, lajme të tjera të portaleve, ato që janë pikante”, thuhet më tej në përgjime.
Në dosjen hetimore të përgjimeve flitet gjithashtu për fushatën mediatike të Veliajt ndaj SPAK, ku përmenden intervistat e tij për tre televizione të mëdha. I gjithë komunikimi i tij për veprime të tilla bëhet me vëllain e tij Arbër Veliaj dhe bashkëshorten Ajola Xoxa. Versus.al








