Komanda Mbështetëse e Forcave të Armatosura i ka drejtuar një kërkesë zyrtare Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për rimbursimin e 33 milionë lekëve të vjetra, pas angazhimit të saj për një muaj në transportin dhe shpërndarjen e kutive të votimit dhe materialeve zgjedhore.
Ky operacion logjistik u zhvillua në bazë të një akt-marrëveshjeje të nënshkruar mes dy institucioneve përpara zgjedhjeve, që parashikon kompensimin e FA për mbështetjen e ofruar gjatë procesit zgjedhor.
Sipas përllogaritjeve, shpenzimi më i madh – rreth 23 milionë lekë të vjetra – lidhet me karburantin e përdorur nga qindra mjete të angazhuara.
Përafërsisht 10 milionë lekë të vjetra janë përdorur për dietat e ushtarakëve, ndërsa një shumë më e vogël është shpenzuar për vajra lubrifikantë.
Kjo shumë pritet të rimbursohet nga KQZ në përputhje me marrëveshjen ndërinstitucionale të firmosur më herët.
“Për realizimin e detyrës nga Komanda Mbështetëse (sipas përllogaritjeve të bëra të krahasuara dhe me GPS e mjeteve) për periudhën 25 prill 2025 deri më 22 maj 2025 janë aktivizuar 217 kamionë transporti (kamion të mbuluar) të cilët në total kanë kryer 27,108 kilometra duke harxhuar në total prej 13,686 litra gasoil me vlerë 2,326,620 lekë, si dhe prej 347 litra vajra lubrifikant me vlerë 41,576 lekë, dhe janë angazhuar 162 personel që trajtohen me dietë jashtë rrethit me vlerë 991,000 lekë.
Vlera totale e shpenzimeve për transportimin e materialeve zgjedhore është 3,359,196 lekë, e cila sipas akt-marrëveshjes duhet të rimbursohet nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bazuar në akt-marrëveshjen ndërmjet dy palëve (Komanda Mbështetëse dhe KQZ)”, shkruhet në dokumentin e depozituar në KQZ.
Më 11 maj 2025, në Shqipëri u mbajtën zgjedhjet parlamentare për përbërjen e Kuvendit të 32-të, ku qytetarët votuan për 140 deputetë. Pjesëmarrja në votime rezultoi 44.83%, duke shënuar një rënie prej 1.46 pikë përqindje krahasuar me zgjedhjet e fundit të vitit 2021.







