Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj ka lënë sot paraburgimin e Durrësit ku mbahet prej 12 shkurtit, për t’u marrë në pyetje nga SPAK si person nën hetim.
Mësohet se që prej orës 10:00, Veliaj po pyetet nga prokurorët e posaçëm Olsi Dado dhe Altin Dumani, në praninë e dy avokatëve të tij Ermir Beta dhe Artur Selmani.
Kjo është hera e parë që Veliaj merret në pyetje që prej arrestimit të tij më 10 shkurt. Ndaj tij rëndojnë akuzat për pastrim parash dhe korrupsion në 9 raste të ndryshme. SPAK ka dyshime se kryebashkiaku në bashkëpunim me gruan e tij Ajola Xoxa, kishte ngritur një skenë përvetësimi fondesh publike duke përdorur edhe organizatat nën emrin e bashkëshortes së tij.
Dyshohet se Veliaj ndikonte në fitimin e tenderave nga biznesmenë të ndryshëm të cilët më pas bënin donacione në organizatën jofitimprurëse të Ajola Xoxës “Harabeli”. Ndaj Xoxës gjykata zbuti masën e arrestit duke e lënë në detyrim paraqitje për shkak të djalit të mitur për të cilin duhet të përkujdeset duke e çuar dhe marrë nga shkolla.
Masë detyrim paraqitje është caktuar edhe për biznesmenët Shkëlqim Fusha, Meriman Palushi, Fatmir Bektashi dhe Sokol Kryeziu. Ndërsa për biznesmenin Elman Abule, Apeli i GJKKO zbuti masën e sigurisë duke e lënë në arrest shtëpie. Dje Abule u pyet në SPAK për disa orë lidhur me hetimet ndaj Veliajt. Versus.al







