
Kryebashkiaku i arrestuar i Tiranës, Erion Veliaj ka revokuar masën e sigurisë “arrest me burg” të caktuar nga GJKKO më 12 shkur të këtij viti nën akuzën e tre veprave penale.
Veliaj i cili prej më shumë se dy muajsh mbahet në paraburgimin e Durrësit, ka kërkuar revokim ose zëvendësim të masës së sigurisë si dhe informacion nga SPAK mbi hetimet që janë zhvilluar ndaj tij përgjatë këtyre dy muajve që ka qenë në qeli.
Kërkesa e tij do të shqyrtohet të shtunën nga gjyqtari i posaçëm, Erjon Bani, i njëjti i cili konfirmoi masën e sigurisë “arrest me burg” për kreun e bashkisë më të madhe të vendit.
Vendimi i Apelit të Posaçëm ku iu rrëzua kërkesa për lirim, u zbardh pak ditë më parë, ndërsa avokatët e kryebashkiakut do të bëjnë rekurs në Gjykatën e Lartë duke kundërshtuar masën e sigurisë dhe hetimin e nisur nga SPAK duke e cilësuar të paligjshëm pasi bazohet në një kallëzim anonim.
Ndaj bashkëshortes së Veliajt, Ajola Xoxa u caktua masa “detyrim paraqitje” për shkak se ka për t’u kujdesur për djalin e mitur. Ndryshim mase sigurie pati edhe ndaj biznesmenit Elman Abule i cili nga ‘arrest me burg’ u la në ‘arrest shtëpie. Pesë biznesmenët e tjerë Gentian Sula, Shkëlqim Fusha, Meriman Palushi, Fatmir Bektashi dhe Sokol Kryeziu janë kufizuar me masën “detyrim paraqitje”. Të gjithë dyshohet se kanë qenë pjesë e një skeme të ngritur nga Veliaj për të përvetësuar fonde nga bashkia e Tiranës. Versus.al








