
Në Gjykatën e Posaçme zhvillohet sot seanca paraprake për dosjen me 5 të pandehur, Ilir Metën, Monika Kryemadhin, të ëmën Fatime Kryemadhin si dhe Pirro Xhixhon e Ema Çokun.
Seanca e kaluar më 11 nëntor u shty për shkak të kërkesës së avokatit të Metës, Kujtim Cakrani për përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka nga çështja. Sipas Cakranit, gjyqtarja është në konflikt interesi pasi po hetohet nga SPAK nën dyshimin e falsifikimit të dokumenteve në Greqi dhe për rrjedhojë nuk mund të japë vendime.
Ndërkohë për Metën dhe të tjerët hetimet janë mbyllur që më 28 korrik. Meta dhe Kryemadhi akuzohen për korrupsion pasiv, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurie në aferën CEZ-DIA dhe lobimin për ish-LSI-në në SHBA. Pirro Xhixho akuzohet gjithashtu për korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë të kryer në bashkëpunim. Ndërkohë mamaja e Monika Kryemadhit, Fatime Kryemadhi akuzohet për pastrim parash, së bashku me Ema Çokun. Versus.al
