Qeveria ka përfunduar tashmë procedurat për mbylljen e rrjetit social “TikTok”.
Por, tashmë duket se një tjetër problem është ngritur në horizont sa i takon privatësisë së qyetarëve gjatë navigimit të tyre në internet. Eksperti i Teknologjisë, Besmir Semanaj, shprehet në rrjetin e tij social se privatësia e qytetarëve rrezikohet nga mundësia e përdorimit të “DPI” (Deep Packet Inspection).
Kjo paketë u lejon ofruesve të internetit ose autoriteteve që të inspektojnë çdo gjë që ne shohim në internet.
Sipas Semanajt, në rrethet e IT përflitet se qeveria mund të përdorë këtë lloj teknologjie. Ndërsa thekson se rreziqet janë të shumta, duke nisur nga rrezikimi i privatësisë së qytetarëve deri tek përdorimi i të dhënave të tyre dhe censura.
Postimi i plotë i ekspertit, Besmir Semanaj:
Gjatë fundjavës isha në Shqipëri dhe vura re se TikTok funksiononte normalisht në çdo rrjet, si në rrjetin mobil ashtu edhe në ËiFi. Kjo tregon se vendimi i qeverisë për bllokimin e platformës nuk është zbatuar dot teknikisht, çka është, në thelb, qesharake. Në rrethet e IT-së përflitej për një përpjekje për të vendosur DPI pranë ofruesve më të mëdhenj të internetit në vend.
Por çfarë është në të vërtetë DPI (Deep Packet Inspection), çfarë rreziqesh paraqet për privatësinë e qytetarëve dhe a duhet të implementohet një teknologji kaq e ndjeshme pa një kuadër ligjor të qartë dhe të detajuar?
DPI (Deep Packet Inspection) është një teknologji që u lejon ofruesve të internetit (ISP) ose autoriteteve të inspektojnë në mënyrë të detajuar përmbajtjen e paketave të të dhënave që kalojnë nëpër rrjet.
Ndryshe nga inspektimi i thjeshtë i “header-it” të një pakete, DPI shikon edhe përmbajtjen reale, që do të thotë:
• Mund të dallojë llojin e trafikut (video, tekst, aplikacion i caktuar si TikTok, VPN etj).
• Mund të bllokojë, ridrejtojë ose modifikojë trafikun në kohë reale.
• Mund të monitorojë sjelljen e përdoruesve në internet në nivel shumë të detajuar.
Pse përdoret DPI?
• Për kontroll dhe cenzurë (si në rastin e TikTok)
• Për siguri kibernetike (p.sh. zbulimi i malëare)
• Për optimizim trafiku ose menaxhim të rrjetit (QoS)
• Për mbikëqyrje masive, që është shqetësuese nga aspekti i të drejtave të njeriut.
Rreziqet për privatësinë e qytetarëve:
1. Mbikëqyrje masive – DPI mund të analizojë çdo gjë që bëjmë online në kohë reale.
2. Shkelje e të drejtës për privatësi – Edhe nëse nuk bllokon asgjë, vetë fakti që monitoron krijon një ambient të frikshëm.
3. Keqpërdorim i të dhënave – Nëse qeveria ose ISP-t nuk janë transparentë, të dhënat mund të përdoren për qëllime politike, ndëshkime, ose manipulime.
4. Mungesë transparence dhe kontrolli nga publiku – Nëse DPI vendoset pa kuadër ligjor të qartë, nuk ka as mekanizëm ankese e as garanci për të drejtat themelore.
A duhet të implementohet pa një kuadër ligjor?
Absolutisht jo. Vendosja e DPI duhet të:
• Diskutohet publikisht, jo të ndodhë në mënyrë të fshehtë.
• Rregullohet nga një ligj i qartë dhe transparent, ku përcaktohet:
• Kush ka akses në të dhënat
• Për çfarë qëllimi
• Për sa kohë ruhen të dhënat
• Si mbrohen nga keqpërdorimi
Përndryshe, është një rrezik serioz për demokracinë dhe për të drejtat themelore të qytetarëve.
Deri më tani, nuk ka një reagim zyrtar nga qeveria lidhur me pretendime të tilla, ndërsa eksiston frika e një “vëgzhgimi masiv” nga autoritetet. Forcat e tjera politike akuzuan qeverinë për censurë me vendimin e mbylljes së TikTok, ndërkohë që Rama paralajmëroi sot qytetarët që të mos përdorin VPN falas për të aksesuar aplikacionin, pasi të dhënat e tyre mund të bien në duart e hakerave. Versus.al








