Një protestë është duke u zhvilluar në Tiranë, pas përplasjeve të fundit të raportuara në zonën e Zvërnecit, ku qindra qytetarë dhe aktivistë janë mbledhur për të shprehur pakënaqësinë e tyre dhe për të kërkuar transparencë mbi ngjarjet.
Protesta fillimisht nisi përballë godinës së Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë dhe më pas protestuesit u drejtuan paqësisht përballe godinës së Ministrisë së Brendshme
Protestuesit kërkuan hetim të plotë mbi incidentet dhe identifikimin e përgjegjësive për përplasjet e ndodhura në terren.
Sipas tyre, përdorimi i forcës ndaj protestuesve dhe përshkallëzimi i situatës në Zvërnec përbën një shqetësim serioz për të drejtat e qytetarëve dhe lirinë e tubimit.

Gjatë protestës u dëgjuan thirrje për drejtësi, mbrojtje të aktivistëve dhe ndalje të çdo forme dhune ndaj pjesëmarrësve në tubime publike. Disa nga folësit kërkuan gjithashtu ndërhyrje institucionale për të garantuar hetim të pavarur mbi ngjarjet.
Më tej protestuesit u drejtuan drejt Kryemisnitrisë, ndërsa rrugës buçiste thirrja: "Bashkohuni me ne, bashkohuni me ne"
Autoritetet deri tani nuk kanë dhënë një reagim mbi protestën, ndërsa situata është mbajtur nën monitorim nga forcat e rendit për të shmangur incidente të mundshme.
Protesta vjen në një klimë të tensionuar pas zhvillimeve në Zvërnec, të cilat kanë ngjallur debat të gjerë publik dhe reagime të shumta në rrjetet sociale dhe opinionin publik.

