Janë publikuar pamje nga aksoni i policisë, në bashkëpunim me SPAK, ku u arrestuan anëtarë të grupit Rraja.
Në kuadër të operacionit “Rikthimi”, u ekzekutua masa e sigurisë “Arrest në burg”, për shtetasit: Rexhep Rraja, Përparim Rraja, Gazmir Rraja, Aldo Gjini alias Aldo Iamandi, Jani Çavo, Islam Sefa alias Islam Xaka, Agim Nina alias Lorenc Selmani, Zamir Aliaj alias Zamir Çoku, Sokol Qaja dhe Marvin Bushati alias Marvin Kopliku.
Njoftimi i policisë:
Operacioni, nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar në Departamentin e Policisë Kriminale, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale, drejtoritë vendore të Policisë Tiranë, Durrës dhe Kukës, me Forcën e Sigurisë Kombëtare Tiranë dhe me BKH-në, nën drejtimin e SPAK-ut.
Ekzekutohet masa e sigurisë “Arrest në burg”, për 10 pjesëtarë të një grupi kriminal për trafikim të lëndëve narkotike, kryesisht në Gjermani.
Në kuadër të operacionit “Rikthimi”, u ekzekutua masa e sigurisë “Arrest në burg”, caktuar me vendim të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në kuadrin e grupit të strukturuar kriminal, për shtetasit:
R. Rr., 31 vjeç, banues në fshatin Zezë, Fushë Krujë;
P. Rr., 50 vjeç, banues në fshatin Nikël, Fushë Krujë;
G. Rr., 35 vjeç, banues në fshatin Nikël, Fushë Krujë;
A. N. alias L. S., 51 vjeç, banues në Durrës;
Z. A. alias Z. Ç., 47 vjeç, banues në Paskuqan;
S. Q., 41 vjeç, banues në Tiranë;
M. B. alias M. K., 43 vjeç, banues në Tiranë;
A. Gj. alias A. I., 35 vjeç, banues në Tiranë (masa u ekzekutua në IEVP);
J. Ç., 50 vjeç, banues në Tiranë (masa u ekzekutua në IEVP);
I. S. alias I. X., 40 vjeç, banues në Tiranë (masa u ekzekutua në IEVP).
Në kuadër të operacionit dhe në zbatim të vendimit të GjKKO-së, u kryen 12 kontrolle në banesa dhe ambiente të tjera në pronësi të 10 shtetasve.
Nga këto ambiente u sekuestruan 1 armë zjarri me municion, 7 celularë, 4 automjete, 1 jelek antiplumb, 1 palë dylbi, 415 000 euro, 7 000 paund dhe 1 000 000 lekë.
Gjithashtu, u bllokuan 2 armë gjahu që mbaheshin me leje.
Nga veprimet hetimore të kryera deri tani, dyshohet se këta shtetas, duke bashkëpunuar ndërmjet tyre dhe me të tjerë, të organizuar si grup i strukturuar kriminal, kanë trafikuar lëndë narkotike kokainë dhe cannabis sativa, në shtete të BE-së, kryesisht në Gjermani.
Paratë e përfituara nga kjo veprimtari, dyshohet se janë investuar për blerjen e pasurive të paluajtshme.
Materialet procedurale iu referuan SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.


