
Pas 5 ditëve në mungesë totale të furnizimit me ujë, sot ka nisur furnizimi në një pjesë të qytetit të Vlorës, në zonën e Lungomares. Ndërsa pjesa tjetër e qytetit pritet të furnizohet me ujë gjatë orëve në vazhdim.
Gjatë natës mbërritën pajisjet e porositura në Turqi të cilat u transportuan me eskortë policie. Ndërsa dhjetëra punonjës të ujësjellës kanalizimeve në Vlorë punuan për të riparuar tubin kryesor i cili ishte çarë dhe kishte sjellë mungesën e furnizimit me ujë. Pajisja u instalua në mëngjesin e sotëm rreth orës 4:00 dhe është duke funksionuar edhe pse jo ende me kapacitet të plotë pasi do bëhet gradualisht.
Mbrëmjen e së dielës dhe mëngjesin e së hënës, banorët e Vlorës u ngritën në protestë duke shprehur frustrim për situatën ku ndodheshin me mungesën e ujit. Shumë prej tyre u detyruan që të mbushnin ujë në burimet natyrore. Versus.al



