Një atentat me armë zjarri i mori jetën 28-vjeçarit Klaudio Prendi në orët e para të mëngjesit të së martës në Tiranë. Ai u qëllua me armë zjarri sapo doli nga një lokal në rrugën “Xhanfize Keko”, pranë zonës që njihet si “Kryqëzimi i Oxhakut”.
Ndërkohë, grupi hetimor që po merren për të gjetur vrasësit e Klaudio Prendit, i kanë të gjitha pistat në tavolinë. Duke nisur nga detyra e mëparshme e babait të tij Fran Prendi një gjyqtar i krimeve të rënda i dorëhequr nga sistemi, deri tek konfliktet personale dhe lojërat e fatit.
Një burim i tha TCH se ka dyshime ende të pakonfirmuara se Klaudio administronte një website llotosh dhe që kohët e fundit kishin fituar për gati tetë mijë euro lojë disa të rinj, të afërm të klanit Duka. Por kjo e dhënë është përftuar nga dëshmitarë të tërthortë dhe për këtë arsye policia i ka pyetur të rinjtë që dyshohet se kanë patur konfliktin.
Policia po punon dhe për të gjetur gjurmë të tjera në makinën e djegur që do të ndihmojnë për të çuar drejt zbulimit të autorëve.







