
Mbrëmjen e djeshme, 40 vjeçari Aleksandër Koçeku u ekzekutua në zonën e Karmës së Kirit në aksin malor Kir-Prekal. Ekzekutimi ndodhi në një vend ku nuk ka lëvizje të shpeshta automjetesh dhe aq më pak kamera sigurie.
Informacionet bëjnë me dije se drejt Koçekut është qëlluar me 25 plumba automatiku. Duke parë edhe vendin e zgjedhur, duket se gjithçka ka qenë e llogaritur me kujdes nga autorët.
Mësohet se hetimet janë përqendruar fillimisht tek pista e gjakmarrjes, pasi familjarët e tij thonë se i ndjeri jetonte nën kërcënimin e hakmarrjes që prej vitit 2017 kur u vra Angjelin Shkambi dhe për këtë ngjarje u dënua vëllai i viktimës së mbrëmshme, Artan Koçeku.
Gjithashtu Aleksandër Koçeku ishte nën hetim nga prokuroria e Shkodrës për vrasjen e 19 vjeçarit Pavlin Preka.
Mbrëmë, Koçeku u gjet i pajetë në automjetin e tij nga një kalimtar i rastësishëm i cili njoftoi menjëherë policinë. Versus.al

