
Detaje të reja janë zbardhur nga ndalimi i një personi në Tiranë i cili dyshohet se ka ndihmuar autorin e vrasjes së Renato Hoxhajt të ndodhur më 27 prill në lagjen “Hajro Çakërri” të Vlorës.
I arrestuari Eris Mehmetaj, me origjinë nga Tropoja, merrej me shitje pronash dhe njihet edhe si mik i Sidorel Prendit (Roan Brahimit, të riut që u ekzekutua majin e kaluar në Athinë, të cilit pak javë më parë i vranë babain Gjovalin Prendi në fshatin Pllanë të Lezhës.
Hetimet e policisë së Vlorës, zbuluan se makina me të cilën lëvizi vrasësi, i ishte dorëzuar nga tropojani para se të ndodhte vrasja. Mjetit i ishin ndërruar edhe targat.
Personit të arrestuar i është sekuestruar edhe një celular brenda të cilit raportohet se janë gjetur të dhëna të vlefshme për hetimin që ngrenë dyshimet se vrasja mund të jetë porositur nga një grup kriminal në Emiratet e Bashkuara. Ekzekutori ende nuk është identifikuar.
Mësohet se edhe viktima i druhej një sulmi pasi kishte shtuar masat e sigurisë. Dy muaj para ngjarjes, kishte instaluar kamera sigurie pothuajse në çdo cep të shtëpisë së tij, falë të cilave u bë i mundur edhe filmimi i makinës me të cilën u largua autori. Versus.al








