Dënimi për 50 vite burg në total për babë e bir, Faik e Shkëlzen Bucin për vrasjen e vajzës së familjes, Eglantina Buci, nuk do të ndryshojë. Kështu ka vendosur sot Gjykata e Lartë gjatë një séance ku u shqyrtua rekursi i bërë nga babë e bir kundër Gjykatës së Apelit.
Një Kolegj Penal i përbërë nga gjyqtarët Ilir Panda, Albana Boksi dhe Medi Bici vendosi të mos pranojë rekursin, duke lënë kështu në fuqi dënimin me një gjysmë shekulli në total për autorët e krimit tronditës.
Ngjarja e rëndë ndodhi në vitin 2012, por u zbulua 8 vite më vonë, në vitin 2020 kur një mik i Shkëlzen Bucit, Miklar Tota i cili kishte parë krimin, vendosi të rrëfente në polici nën statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë.
Vrasja ishte kërkuar nga babai, ndërsa Shkëlzeni ishte ai që kishte kryer ekzekutimin e 23 vjeçares vetëm sepse kjo e fundit nuk pranonte të fejohej me personin që kërkonte i ati. Më pas largimi i saj për të bashkëjetuar me një person tjetër, ka përshkallëzuar situatën.
Sipas hetimeve dhe dëshmisë së Tolës i cili kishte qenë dëshmitar i ngjarjes, Shkëlzeni kishte thirrur të motrën për kafe dhe u nisën me makinë drejt Dajtit. Gjatë rrugës ai e ka qëlluar me armë motrën e tij dhe më pas trupin e saj e groposi tek Mali me Gropa. Pavarësisht dënimit, babë e bir kanë mohuar krimin e rëndë. Versus.al







