AKTUALITET /

Xoxa kërkoi pezullimin e gjyqit për 2 muaj pas lindjes, GJKKO rrëzon kërkesën e saj.

Shkruar nga Versus

Xoxa kërkoi pezullimin e gjyqit për 2 muaj pas lindjes, GJKKO

Gjykata e Posaçme ka shtyrë për në datën 21 korrik seancën e radhës në themel për dosjen në ngarkim të kryebashkiakut të arrestuar Erion Veliaj i cili as këtë herë nuk u paraqit.

Shkak për shtyrjen është bërë raporti i paraqitur nga bashkëshortja e Veliajt, Ajola Xoxa e cila është gjithashtu e pandehur, por avokati i saj ka kërkuar pezullimin e gjyqit për 63 ditë për shkak se klientja e tij sapo ka lindur djalë.

GJKKO rrëzoi kërkesën për pezullimin e gjykimit me 2 muaj, por vendosi të shtyjë seancën e sotme me arsyetimin se duhet t'i japë Xoxës mundësinë reale për të qenë e pranishme në proces. Sipas trupit gjykues, raporti i barrëlindjes nuk përbën raport paaftësie për punë, ndaj nuk ekziston baza ligjore për pezullimin e gjykimit.

“Gjykata pasi shqyrtoi kërkesën e Ajola Xoxës, konstaton se e pandehura, që nga paraqitja e kërkesës për gjykim, gjatë shqyrtimit në themel dhe para këtij trupi gjykues, nuk ka marrë pjesë në asnjë seancë dhe është përfaqësuar nga avokatët.

Nga ana tjetër, gjykata konstaton se provohet se Xoxa ka sjellë në jetë një fëmijë me lindje me operacion. Për t'i dhënë mundësinë reale që të jetë e pranishme në proces, gjykata vendos të shtyjë seancën dhe rrëzon kërkesën për pezullimin e gjykimit.

Nisur nga fakti se është paraqitur vetëm raporti i barrëlindjes, i cili nuk përbën raport paaftësie për punë, gjykata vendos të pezullojë afatet për të paraburgosurit nga kjo seancë deri në seancën e ardhshme, e cila do të zhvillohet më 21 korrik, në orën 10:00”, arsyetoi gjykata në vendimin e dhënë. Versus.al

Poll