Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka zbardhur vendimin e marrë pas seancës së së shtunës, të zhvilluar me kërkesë të SPAK, i cili kishte kërkuar marrjen në pyetje të të pandehurve dhe verifikimin e kushteve të masave të sigurisë të caktuara më herët.
Trupa gjykuese e drejtuar nga gjyqtari Erjon Çela vendosi vazhdimin e të gjitha masave të sigurisë të vendosura më 19 nëntor 2025 ndaj zv/kryeministres Belinda Balluku dhe dy zyrtarëve të tjerë të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.
Çfarë vendosi gjykata për Belinda Ballukun
Sipas vendimit të zbardhur, për Ballukun do të vijojnë të jenë në fuqi këto masa:
- Ndalimi i daljes jashtë shtetit
- Pezullimi nga ushtrimi i detyrës publike, si Zv/Kryeministre dhe Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë
Të dyja masat janë parashikuar në nenet 233 dhe 242 të Kodit të Procedurës Penale dhe do të vijojnë të zbatohen deri në një vendim të ri të gjykatës.
Masat e sigurisë për Gentian Gjylin
Gjykata konfirmoi gjithashtu: Vazhdimin e masës “arrest në shtëpi”
Kjo masë është vendosur gjithashtu më 19 nëntor 2025 dhe mbetet e pandryshuar.
Masat e sigurisë për Erald Elezin
Edhe për Erald Elezin, gjykata vendosi: Vazhdimin e masës “arrest në shtëpi”
Saktësimin e adresës së banimit, me detyrimin që i pandehuri të mos largohet nga banesa e tij
Ky saktësim është bërë për të garantuar zbatimin e plotë të masës shtrënguese.
Urdhrat për institucionet dhe e drejta e ankimimit
Gjykata urdhëron Prokurorinë e Posaçme dhe policinë gjyqësore të marrin të gjitha masat për zbatimin e vendimeve të mësipërme.
Kundër këtij vendimi, palët kanë të drejtë të bëjnë ankim brenda 5 ditëve në Gjykatën e Posaçme të Apelit kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
NJOFTIMI I PLOTE
Kërkuesi Prokuroria e PosaçMe kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me datë 21.11.2025 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Marrja në pyetjedhe verifikimi i kushteve dhe kritereve të zbatimit të masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues dhe ndalues, caktuar me vendimin Nr. 118, datë 19.11.2021 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ndaj të pandehurve Belinda Balluku, Gentian Gjyli dhe Erald Elezi”.
Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtari Erjon Çela, me vendimin 120, datë 22.11.2025, vendosi: Vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” dhe masës së sigurimit personal me karakter ndalues “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, (si Zv.Kryeministër i Republikës së Shqipërisë dhe Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë), të parashikuara nga nenet 233 dhe 242 të K.Pr.Penale, ndaj të pandehurës Belinda Balluku, të caktuara me vendimin nr. 118, dt. 19.11.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest në shtëpi”, e parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale, ndaj të pandehurit Gentian Gjyli, e caktuar me vendimin nr. 118, dt. 19.11.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest në shtëpi”, e parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale, ndaj të pandehurit Erald Elezi, e caktuar me vendimin nr. 118, dt. 19.11.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. Saktësimin e adresës së zbatimit të masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest në shtëpi” duke urdhëruar të pandehurin Erald Elezi që të mos largohet nga banesa e tij që ndodhet në qytetin e me adresë:
Urdhërohet Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe shërbimet e policisë gjyqësore për zbatimin e këtij vendimi. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar brënda 5 ditëve, nga njoftimi i vendimit të gjykatës.
