Nga dokumentet hetimore zbulohet se bashkëpunimi mes kompanisë “Nova Construction – 2012”, në pronësi të biznesmenit Ilir Shtufi (i njohur për lidhje me familjen Berisha) dhe “Euroteorema Peqin” shpk, nuk ka qenë një zgjedhje e lirë biznesi, por një bashkim "i diktuar" nga ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku.
Sipas pjesëve të dosjes të përfshira në hetimin për tenderin 20 milionë euro të Lotit 4 të Unazës së Madhe, Balluku i shkruan ish-drejtorit të ARRSH-së, Ervis Berberit:
“Prite pak Ilir Shtufin e Nova dhe bëja të qartë që shkon me EUT. Dhe mos ta shoh në vend tjetër.”
Komunikimet kyçe – Shtator 2021
Mesazhet, të nxjerra nga telefoni “Blackberry” i sekuestruar Ervis Berberit, tregojnë se bisedat janë zhvilluar në 10 shtator 2021, një muaj pasi tenderi ishte hapur dhe vetëm pak javë para se fituesit të shpalleshin zyrtarisht.
Në orën 10:46, Balluku i kërkon Berberit të vijë në zyrë. Pas takimit, në orën 13:00, ministrja i jep udhëzimin e qartë:
“Prite pak Ilir Shtufin e Nova dhe bëja të qartë që shkon me EUT. Punët i ke me Gjim, thuaj, jo me mua.”
Berberi i përgjigjet shkurt: “Ok.”
Menjëherë më pas, Berberi ka një komunikim me Shtufin:
Ilir Shtufi: “Përshëndetje… Ilir Shtufi, Nova jam. Të tak pak, m’kanë thënë kur mundesh?”
Evis Berberi: “Hajde, kalo.”
Ilir Shtufi: “Ok, 10 min.”
Pas takimit, Berberi i raporton Ballukut:
“E takova ok.”
Bashkimi i kompanive – vetëm 4 ditë më vonë
Më 14 shtator 2021, pra katër ditë pas mesazheve, Nova Construction firmos kontratën e bashkëpunimit me Euroteorema Peqin dhe PE-VLA-KU, duke krijuar bashkimin e operatorëve që më vonë, më 6 tetor, do të shpallej fitues i tenderit.
Publikimi i listës në media, Balluku kërkon “fajin”
Nga komunikimet e përfshira në dosje rezulton se Balluku u shqetësua kur një portal (Pamfleti) publikoi një listë të kompanive të dyshuara si fituese të Unazës së Madhe.
Në mesazhe, ministrja i kërkon Berberit të verifikojë një punonjëse të prokurimeve:
“Ke një Miranda tek prokurimet. Pamfleti ka të gjithë listën e kompanive fituese.”
Berberi e siguron: “Miranda s’ka dijeni për emrat. Asnjë s’e ka listën, s’ka si ta kenë.”
Ai shton se është “habitshme” si ka dalë informacioni, duke theksuar:
“Vetëm unë e di. Për çdo lot kanë marrë kriteret në letër pa emër.”
Sipas SPAK-ut, këto biseda krijojnë dyshimin se kompanitë fituese janë paracaktuar, ndërsa kriteret e tenderit i kanë hartuar vetë kompanitë e favorizuara.
SPAK: Fituesi dihej para se të dorëzoheshin ofertat
Sipas dosjes, Balluku dhe Berberi kishin dijeni për fituesit që në fazën kur ende nuk ishin dorëzuar ofertat, pasi afati për paraqitjen e tyre mbyllej më 15 shtator 2021.
