AKTUALITET /

Zgjedhjet e 11 Majit – Regjistrohen 14 kallëzime në 6 qarqe të vendit. "Kampion" nuk është Tirana...

Burimet e këtyre kallëzimeve kanë qenë të ndryshme: në 7 raste ato janë nisur nga policia gjyqësore, në 3 raste nga Struktura e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (SPAK), në 2 raste nga subjektet politike, ndërsa një rast është iniciuar kryesisht dhe një tjetër nga një qytetar.

Shkruar nga Versus

Zgjedhjet e 11 Majit – Regjistrohen 14 kallëzime në 6 qarqe

Prokuroria e Përgjithshme ka bërë të ditur se deri më datë 28 prill 2025 janë regjistruar gjithsej 14 kallëzime penale të lidhura me veprat që lidhen me procesin zgjedhor për Zgjedhjet Parlamentare të 11 Majit. Kallëzimet janë paraqitur në prokuroritë pranë gjykatave të juridiksionit të përgjithshëm në qytetet Tiranë, Fier, Sarandë, Durrës, Elbasan dhe Gjirokastër.

Sipas të dhënave zyrtare, veprat penale për të cilat janë ngritur kallëzimet përfshijnë “Pengimin e subjekteve zgjedhore”, “Dëmtimin me dashje të materialit zgjedhor”, “Përdorimin e funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore” si dhe “Kanosjen apo dhunimin ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje”.

Burimet e këtyre kallëzimeve kanë qenë të ndryshme: në 7 raste ato janë nisur nga policia gjyqësore, në 3 raste nga Struktura e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (SPAK), në 2 raste nga subjektet politike, ndërsa një rast është iniciuar kryesisht dhe një tjetër nga një qytetar.

Nga shpërndarja gjeografike e kallëzimeve, rezulton se numri më i madh është regjistruar në Prokurorinë e Fierit (5 raste), e ndjekur nga Saranda (3 raste), Tirana dhe Gjirokastra (nga 2 raste secila), dhe nga një rast në Durrës e Elbasan.

Nga këto kallëzime janë nisur gjithsej 7 procedime penale, ku 5 prej tyre janë hapur në Prokurorinë e Fierit. Konkretisht, në këtë prokurori janë regjistruar:

2 procedime për “Pengim të subjekteve zgjedhore” (neni 325),
1 për “Përdorim të funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore” (neni 328/a),
1 për të njëjtën vepër në paragrafin 4 të të njëjtit nen,
1 për “Kanosje apo dhunim ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje” (neni 328).
2 procedimet e tjera janë hapur në Prokurorinë e Gjirokastrës.

Ndërkohë, një kallëzim nga Prokuroria e Durrësit dhe një procedim penal nga Prokuroria e Fierit janë transferuar për kompetencë në SPAK. Pjesa tjetër e kallëzimeve ndodhen ende në fazën e verifikimit, njofton Prokuroria e Përgjitshme. 

Poll
Më poshtë do të gjeni dhe kandidatët e Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike për të gjitha qarqet: