Prokuroritë e rajoneve të ndryshme të Kosovës kanë nisur hetime në disa pista për shkelje penale gjatë zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit. Sipas raporteve zyrtare, shkeljet më të shpeshta ishin cenimi i fshehtësisë së votimit dhe sulmet ndaj personave zyrtarë.
Kur nuk kishte kaluar as një orë nga hapja e vendvotimeve për zgjedhjet e 9 shkurtit, një burrë u arrestua në Podujevë, rreth 30 kilometra larg Prishtinës. Kjo pasi, sipas Policisë, gjatë procesit të votimit, ai nuk respektoi urdhrat e Policisë dhe madje sulmoi fizikisht një zyrtar policor.
Ky incident ishte ndër të parët që u shënua gjatë ditës së zgjedhjeve, e cila sipas institucioneve dhe organizatave monitoruese, ishte përgjithësisht i qetë. Pak kohë më vonë, rreth orës 09:00, dy burra u arrestuan në Prishtinë. Ata dyshohet se vendosën disa pamflete afër vendvotimit të ndërlidhura me zgjedhje.
Ata u dërguan në mbajtje si të dyshuar për veprën nxitje e urrejtjes dhe mosdurimit. Ndonëse nuk dha më shumë detaje për këto dy raste, Prokuroria e Prishtinës i tha REL-it se në ditën e zgjedhjeve shënuan edhe një rast të tretë të shkeljeve penale që lidhen me zgjedhjet. Sipas Ligjit për zgjedhje në Kosovë, votimi me asistencë lejohet kur vërtetohet se votuesi nuk është i aftë ta kryejë vetë këtë proces.








