Zjarret që kanë përfshirë disa zona të Shqipërisë po krijojnë një situatë gjithnjë e më dramatike, me pasoja të rënda për jetën dhe pronën e qytetarëve. Drejtori i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, ka konfirmuar sot se zjarret kanë shkaktuar një viktimë të sigurt, ndërsa dyshohet edhe për një tjetër humbje jete.
“Deri tani kemi një viktimë të konfirmuar dhe një tjetër rast që është ende nën shqyrtim,” deklaroi Brataj për mediat, duke shtuar se ekipet e emergjencës janë të përfshira maksimalisht në menaxhimin e situatës, por kushtet atmosferike dhe terreni i vështirë po pengojnë ndërhyrjet efikase.
Zjarret janë përhapur me shpejtësi në disa zona të vendit, veçanërisht në qarkun e Elbasanit, Gramshit, Skraparit dhe juglindjen e Shqipërisë, ku autoritetet janë detyruar të nisin evakuime masive në disa fshatra.
Brataj ka bërë apel për kujdes të shtuar, duke kërkuar nga qytetarët që të ndjekin udhëzimet e autoriteteve dhe të shmangin qëndrimin në zona të rrezikuara.
Ndërkohë, Ministria e Mbrojtjes dhe emergjencat civile kanë ngritur struktura koordinimi për menaxhimin e situatës dhe janë në gatishmëri të plotë për çdo zhvillim të mëtejshëm. /Versus.al/







