Çfarë do të gjeni në brendësi
*Mbrëmjen e së martës u mbajt debati i parë presidencial mes kandidatëve për kreun e Shtëpisë së Bardhë, Donald Trump dhe Kamala Harris. *Debati nisi me një shtrëngim duarsh por shpejt u kthye në një “betejë” akuzash mes dy kandidatëve. Harris e cilësoi Trumpin si shkaktar të nivelit më të lartë të papunësisë në SHBA gjatë udhëheqjes së tij. Ndërsa Trump e cilësoi Harris-in si zëvendës presidenten më të keqe në historinë e SHBA-ve. *Miliona njerëz në mbarë botën e ndoqën debatin që konsiderohet të jetë kyç në përcaktimin e fituesit në zgjedhjet që do të mbahen në nëntor të këtij viti. Amerikanët e ndoqën me aq kërshëri sa ndiqen ndeshjet e futbollit në vende të tjera të globit. *Mes kandidatëve pati akuza të ashpra me Kamala Harris e cila akuzoi Trump-in se ka përdorur identifikime raciste duke përçarë popullin në Amerikën e Veriut, ndërsa kandidati republikan e akuzoi Harris-in se është marksiste. *Mediat ndërkombëtare si CNN, BBC apo SkyNews e cilësuan debatin si një fitore për Kamala Harris duke thënë se kjo e fundit kishte në mbështetje 63% të shikuesve. Ndërsa pas këtij debati Trump duket se ka humbur avantazhin që kishte ndaj zv.presidentes aktuale. * Sipas ish-presidentit të SHBA, emigrantët nga Haiti që jetojnë në Ohajo po rrëmbejnë dhe po hanë kafshë një pretenidm i mbëtshtetur fillimish nga kandidati i tij Jay Dee Vance.
SHBA/ Pretendimi i rremë që ‘dogji’ Trumpin në debatin me Kamala Harris

Emigracioni pritej të ishte një nga çështjet kryesore në debatin e zhvilluar mbrëmjen e djeshme mes kandidatit republikan Donald Trump dhe kandidates së Partisë Demokratike Kamala Harris, për zgjedhjet presidenciale në SHBA.
Dhe kur diskutimi u kthye tek emigracioni Trump bëri gafën që sipas analistëve ishte dhe pretendimi që dogji Trumpin në këtë përballje.
Sipas ish-presidentit të SHBA, emigrantët nga Haiti që jetojnë në Ohajo po rrëmbejnë dhe po hanë kafshë një pretendim i mbështetur fillimish nga kandidati i tij Jay Dee Vance.
‘Ata hanë qen, hanë mace. Ata po hanë kafshët e njerëzve që po jetojnë atij’ ishte deklarata e Trump për atë që ai thotë se po ndodh në Springfield, Ohio.
Ky pretendim i Trump u prit me tallje nga Kamala Harris e cila e quatji atë një ‘pozicion ekstrem’ dhe e detyroi moderatoren e debatit në ABC të kundërshtonte deklaratën e kanditit republikan.
Pretendimi i rremë u bë fillimisht nga Jay De Vance në një postim në X në të cilin ai deklaroi se zyra e tij "ka marrë disa çështje të rrëmbimit të kafshëve nga Haitianët".
Sot, megjithatë, Vance pranoi se "të gjitha këto thashetheme mund të rezultojnë të gabuara".
I menjëhershëm ishte dhe reagimi i kryebashkiakut të Springfield në lidhje me deklaratën e Trump.
Ai u shpreh se deri më tani nuk kanë pasur asnjë raport të vërtetuar ose pretendim specifik se kafshët janë dëmtuar ose abuzuar nga anëtarët e komunitetit të emigrantëve.
“Në përgjigje të thashethemeve të fundit për aktivitete të supozuara kriminale nga emigrantët në qytetin tonë, ne duam të bëjmë të qartë se nuk ka pasur asnjë raport të vërtetuar ose pretendim specifik se kafshët janë dëmtuar ose abuzuar nga anëtarët e komunitetit të emigrantëve”, tha kryebashkiaku i Springfield në një deklaratë nga policia lokale./Versus.al
Debati Trump-Harris, amerikanët e ndjekin si të ishte ndeshje futbolli (FOTOT)

Debati presidencial mes Donald Trump dhe Kamala Harris të cilët kandidojnë për kreun e Shtëpisë së Bardhë u ndoq nga miliona njerëz në mbarë globin. Por në SHBA, mediave nuk u kanë shpëtuar disa prej fotove të publikuara nga amerikanë të cilët prisnin me padurim këtë përballje argumentesh.
Të mbledhur në ambiente të ndryshme si shtëpi apo bare e restorante, mënyra sesi amerikanët e kanë ndjekur debatin, duket e njëjtë me mënyrën sesi ndiqen ndeshjet e futbollit.
Mbështetësit e të dyja palëve kanë publikuar foto në internet para nisjes së debatit ku duken të ulur në karrige me gjithë vëmendjen e fokusuar në përballjen Trump-Harris. Versus.al
“Nëse zgjidhet ajo, do marrim energji nga mullinjtë e erës”, kush e fitoi debatin presidencial Trump-Harris?

Mbrëmjen e së martës u mbajt debati i parë dhe mbase i vetëm presidencial mes kandidatëve Donald Trump dhe Kamala Harris të cilët parashtruan pikëpamjet e tyre mbi gjendjen ku ndodhen sot Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Pati debate shumë të zjarrta mes dy kandidatëve, të cilat janë quajtur si “avantazh” për Kamala Harris. Mediat ndërkombëtare CNN dhe BBC shkruajnë se Harris ishte më dominante në debat përballë Trump duke e nxjerrë këtë të fundit në pozicion mbrojtjës lidhur me periudhën kur drejtoi Shtëpinë e Bardhë.
Zëvendëspresidentja ishte përgatitur gjerësisht për debatin e tyre, dhe thuajse çdo përgjigje e përcolli me një koment të krijuar për të zemëruar ish-presidentin. Ajo i tha Trumpit se liderët botërorë po qeshnin me të dhe udhëheqësit ushtarakë e quajtën atë një "turp". Ajo e quajti Trumpin "të dobët" dhe "të gabuar". Ajo tha se Trump u pushua nga 81 milionë votues – numri që votoi për Presidentin Joe Biden në vitin 2020”- shkruan CNN për debatin duke e cilësuar Trumpin si jashtë kontrollit teksa thekson edhe reagime të shoqëruara me nervozizëm nga ana e tij.
Ndërsa BBC i cilësoi deklaratat e Trump për emigrantët si ‘teori konspirative’.
Nga ana tjetër, kandidati Donald Trump u përqendrua edhe tek ekonomia e vendit duke argumentuar se gjatë drejtimit të Biden, SHBA kishte pasur inflacionin më të madh në histori. Pretendim ky që mori kundërpërgjigjie nga Harris e cila tha se gjatë drejtimit të Trump, niveli i papunësisë kishte qenë më i larti në historinë e SHBA.
Ndërsa Trump nuk ngurroi të bënte edhe disa prej deklaratave tipike mbi atë çfarë mund të ndodhë nëse Kamala Harris zgjidhet në krye të Shtëpisë së Bardhë.
“Nëse ajo zgjidhet, ne do të kthehemi në mullinjtë e erës për të marrë energji
Nëse ajo bëhet presidente, ne do të përfundojmë si Venezuela por me steroide”- ishin disa prej shprehjeve tipike të Trump.
Nuk dihet nëse do të ketë një tjetër debat mes dy kandidatëve. Por sa i përket debatit të mbrëmshëm, mediat ndërkombëtare e cilësojnë zv.presidenten Kamala Harris si disa pikë përpara Trump sa i përket argumenteve të dhëna prej saj. Versus.al
Nga akuzat për racizëm tek ndërhyrja e Rusisë në zgjedhje, debat i ashpër mes Trump dhe Harris

Debati i parë mes kandidates demokrate për presidente Kamala Harris dhe rivalit të saj republikan Donald Trump u shoqërua me polemika luftarake mbi ekonominë, emigracionin, abortin, kujdesin shëndetësor dhe politikën e jashtme.
Nënpresidentja Harris, 59 vjeçe, kritikoi synimin e zotit Trump për të vendosur tarifa të larta ndaj mallrave të huaja, një propozim që ajo tha se do të ishte një taksë për klasën e mesme, ndërsa foli mbi planin e saj për të ofruar përfitime tatimore për familjet amerikane dhe bizneset e vogla.
“Donald Trump na la nivelin më të ulët të punësimit që nga Depresioni i Madh (rënia e madhe ekonomike në Shtetet e Bashkuara e viteve 1930)”, tha zonja Harris, duke iu referuar viteve të tij si president nga viti 2017 deri në vitin 2021. Niveli i papunësisë arriti kulmin në 14.8% në prill të vitit 2020 dhe ra në 6.4% kur ai u largua nga detyra.
Zoti Trump, 78 vjeç, kritikoi zonjën Harris për inflacionin e lartë gjatë mandatit të administratës së Presidentit Biden, megjithëse ai e mbivlerësoi nivelin e rritjes së çmimeve. Ai gjithashtu iu drejtua shpejt çështjes së tij kryesore, emigracionit, duke pretenduar përsëri pa prova se emigrantët nga "azilet e të çmendurve" po kalojnë kufirin jugor të Shteteve të Bashkuara me Meksikën.
Inflacioni, tha ai, "ka qenë një katastrofë për njerëzit, për klasën e mesme dhe gjithë të tjerët."
Debati filloi me një shtrëngim duarsh mes dy rivalëve, të cilët nuk ishin takuar më parë.
Politika e Jashtme
Kandidatët gjithashtu shkëmbyen kritika për luftën mes Hamasit dhe Izraelit në Rripin e Gazës dhe agresionin rus në Ukrainë, megjithëse asnjëri nuk ofroi plane specifike për zgjidhjen e këtyre konflikteve.
Demokratja Harris akuzoi republikanin Trump se ishte i gatshëm të të tërhiqte mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për Ukrainën për të fituar favorin e Presidentit rus Vladimir Putin, duke e quajtur zotin Trump një "turp", ndërsa zoti Trump pretendoi se zonja Harris "urren" Izraelin, një pohim që ajo e hodhi poshtë.
Zoti Trump kritikoi Presidentin Biden dhe Nënpresidenten Harris për tërheqjen e pa organizuar të trupave amerikane nga Afganistani, duke thënë se ata lanë duart e talebanëve pajisje ushtarake amerikane me vlerë prej miliarda dollarësh.
Sulmet personale
Zoti Trump, i cili ka kaluar javë të tëra duke bërë sulme personale ndaj zonjës Harris, duke përfshirë fyerje raciste dhe seksiste, kryesisht shmangu fyerjet në fillim të debatit, por u bë gjithnjë e më i zëmëruar nga kritikat e zonjës Harris.
Zoti Trump u pyet nga moderatorët për një nga ato sulme, kur ai tha në një konferencë me gazetarë afrikano-amerikanë në korrik se zonja Harris së fundmi ishte "bërë një person me ngjyrë".
"Nuk më intereson aspak kjo çështje", tha ai. "Çfarëdo që ajo dëshiron të jetë është në rregull me mua."
Zonja Harris, me origjinë zezake dhe aziatike u përgjigj: "Unë mendoj se është një tragjedi që ne kemi dikë që dëshiron të jetë president, i cili vazhdimisht gjatë karrierës së tij është përpjekur të përdorë racën për të përçarë popullin amerikan".
Ajo kritikoi zotin Trump për shpalljen fajtor nga një juri për fshehjen e pagesave për një aktore e filmave pornografikë, si dhe paditë e tij të tjera dhe një gjyq civil për sulm seksual. Zoti Trump hodhi poshtë këto akuza dhe sërish akuzoi zonjën Harris dhe demokratët se kanë orkestruar të gjitha paditë ndaj tij pa prova.
Ish Presidenti Trump gjithashtu përsëriti pretendimin e tij të rremë se zgjedhjet e vitit 2020, të cilat i fitoi demokrati Joe Biden, ishin manipuluar dhe e quajti zonjën Harris një "marksiste" dhe pohoi në mënyrë të rreme se migrantët kanë shkaktuar një rritje të madhe të krimit të dhunshëm në vend.
Ky mund të jetë debati i vetëm mes tyre në fushatën për zgjedhjet presidenciale të 5 nëntorit. Debati mbahet tetë javë përpara ditës zyrtare të zgjedhjeve, por vetëm disa ditë përpara fillimit të votimit të hershëm në disa nga 50 shtetet e vendit.
Debatet presidenciale nuk ndryshojnë domosdoshmërisht mendjet e votuesve, por ato mund të jenë shumë të rëndësishme. Paraqitja e dobët e zotit Biden në debatin me zotin Trump në qershor çoi në tërheqjen e tij nga gara për president më 21 korrik.
Debati, i organizuar nga kanali ABC, u mbajt në Qendrën Kombëtare të Kushtetutës në Filadelfia. Siç ishte rënë dakord nga drejtuesit e fushatave, nuk kishte audiencë të drejtpërdrejtë dhe mikrofonat e kandidatëve ishin të fikur në momentet kur kandidatët nuk e kishin radhën e tyre për të folur. VOA







