Çfarë do të gjeni në brendësi
*Kuvendi nisi sot seancën plenare me 1 minutë heshtje në nderim të Adem Jasharit dhe familjarëve të tij në kuadër të 28 vjetorit të Epopesë heroike. *Debatet vijuan lidhur me rendin e ditës teksa demokratët kërkonin kalimin në seancë të çështjes së imunitetit të Belinda Ballukut, ndërsa socialistët kërkonin votimin e dekreteve të presidentit Bajram Begaj për shkarkimet dhe emërimet e reja në qeveri. *Teksa PD bllokoi foltoren duke kërkuar që fjala t’i jepej Berishës, socialistët miratuan ndryshimet në qeveri. Ra në sy fakti se gjatë votimit për Spiropalin, Berisha dhe Topalli votuan kundër. Por kjo gjë u sqarua menjëherë nga ish-kryeparlamentarja e cila tha se bëhej fjalë për një lapsus teknik.
'Ofendoi rëndë Voksin'/ Deputetët e PD braktisin Kuvendin: Kërkojmë përjashtimin e Taulant Ballës

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar ashpër pas përplasjes në Kuvend ku kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, ka ofenduar deputeten Albana Vokshi.
Tabaku e cilësoi sjelljen e Ballës si të papranueshme dhe njoftoi se PD do të depozitojë të premten kërkesën për përjashtimin e tij nga Kuvendi.
Në deklaratën për mediat, Tabaku theksoi se kjo ishte një shkelje e qartë e standardeve minimale të sjelljes në parlament dhe një vijë e kuqe që nuk mund të tolerohet. Ajo kërkoi masa të menjëhershme, përfshirë dënim publik dhe kërkesë ndjesë, duke vënë theksin te mbrojtja e integritetit të institucioneve dhe e grave në politikë.
Deputetja shtoi se opozita po përballet me kufizime të shumta në Kuvend, duke përfshirë mungesën e mundësisë për pyetje, komisione hetimore dhe të drejtën për të folur lirshëm, ndërsa ofendimi i Ballës kaloi çdo vijë të kuqe. “Grupi parlamentar i Partisë Demokratike nesër do të dërgojë kërkesën për përjashtimin e zotit Balla. Kjo është një vijë e kuqe që nuk duhet shkelur nga askush,” u shpreh Tabaku.
Deklarata e plotë
Sot kryetari i grupit socialist, zoti Taulant Balla, ka ofenduar zonjën Albana Vokshi në mënyrë të përsëritur, jo vetëm një herë, dhe ka detyruar grupin parlamentar të Partisë Demokratike të largohet nga salla. Zoti Niko Peleshi, i cili ka marrë përsipër të drejtojë Kuvendin, duhet ta drejtojë atë bazuar mbi rregulloren. Nuk ka përjashtime për opozitën, ndërkohë që mazhoranca ka të drejtën të flasë me arrogancë, të ofendojë dhe të cënojë dinjitetin. Pastaj çuditemi se pse kjo sallë e parlamentit nuk prodhon më politikë. Kjo është fytyra e vërtetë e qeverisjes. Kjo është fytyra e qeverisjes me arrogancë, që shkel këdo me këmbë.
Kjo sjellje e papranueshme në sallën e Kuvendit sot duhej patjetër të kishte marrë përgjigjen e merituar nga kryetari i Kuvendit. Zoti Niko Peleshi, për herë të disatë, ka dështuar që të drejtojë seancën dhe t’i ofrojë siguri deputetëve të opozitës për të operuar aty, së pari, dhe së dyti, për të dënuar një sjellje që, në gjykimin tim, në kaq vite në parlament nuk ka ndodhur asnjëherë.
Opozita ndodhet në kushtet kur çdo hapësirë e parlamentit është ngushtuar. Ndodhet në kushtet kur nuk ka mundësi të flasë, nuk i jepet e drejta për pyetje, nuk i jepet e drejta për komisione hetimore, por ofendimi kaloi çdo vijë të kuqe. Për këtë arsye, unë së pari i bëj thirrje të gjithë zonjave socialiste ta dënojnë atë. Ta dënojnë sjelljen dhe ofendimin e një kolegeje në këtë parlament.
Së dyti, i bëj thirrje të gjithë organizatave të shoqërisë civile që ky është momenti për të folur. Ky është momenti për të dënuar ata që, nga kjo sallë e parlamentit, shfaqin sjellje të tilla të patolerueshme, të dënueshme, që askush nuk do të kishte dashur t’i dëgjonte as në shtëpitë e tyre, as për familjarët e tyre.
Në fund të ditës, secili prej nesh është edhe njeri. Është familjar. Zonja Vokshi ka dy vajza në shtëpi, të cilat e kanë ndjekur seancën. Si do të ndiheshim ne në qoftë se fëmijët tanë do ta dëgjonin? Si do të ndiheshim ne në qoftë se secili prej kolegëve do të përjetonte një dhunë të tillë, sepse kjo është dhunë verbale.
Grupi parlamentar i Partisë Demokratike nesër do të dërgojë kërkesën për përjashtimin e zotit Balla. Ne jemi të sigurt që zoti Peleshi përsëri nuk do të jetë mbi palët. Jemi të sigurt që nuk do të merret asnjë masë, por pavarësisht kësaj, ne do t’i shkojmë deri në fund kësaj, ashtu siç do t’i shkojmë deri në fund të gjithë betejave që opozita ka në këtë parlament.
Ne mund të mos biem dakord për shumë gjëra në këtë parlament, por këtu duhet të biem dakord që kur cënohet dinjiteti i një zonje, kjo është një vijë e kuqe që nuk duhet shkelur nga askush./Versus.al
Balla sqaron deklaratën për “0900”: Nuk ishte fyerje ndaj Vokshit, kërkoj ndjesë nëse është keqkuptuar

Pas debatit të tensionuar në Kuvend me deputetin Klevis Balliu dhe përfaqësues të tjerë të opozitës, kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, ka sqaruar se përmendja e numrit “0900” nuk kishte për qëllim të fyente deputeten Albana Vokshi.
Në fjalën e tij, Balla theksoi se bëhej fjalë për një numër telefonik informues të Bashkimit Evropian, përmes të cilit qytetarët mund të marrin informacion mbi vendimmarrjen e BE-së.
“Bëhet fjalë për një numër telefonik që në BE përdoret për të marrë informacion mbi Bashkimin Evropian. Nuk ka lidhje me asnjë fyerje. Nëse kolegia Vokshi ndihet e fyer, i kërkoj ndjesë,” u shpreh ai.
Balla shtoi se deklarata e tij ishte bërë në kontekstin e diskutimit për reformat që lidhen me BE-në dhe akuzoi opozitën se po e përdor situatën për të nxitur tensione dhe protesta.
"Kjo situatë nuk ka të bëjë fare me gjithçka kam thënë unë sepse nuk ka lidhje fare asnjë fyerje. Bëhet fjalët për një numër telefonik që në BE merret për të marrë informacion mbi bashkimin evropian. Kush ka nevojë të marrë informacion mbi BE, ka një numër ku ti mund të marrësh informacion për të vendimmarrjen e BE. Sa i përket keqinformimit nëse kolegia Vokshi ndihet e fyer, unë i kërkoj ndjesë. Por nuk ka asnjë… Isha duke folur për reformën e BE, ja ku e keni numrin me 0900 të BE-së ku çdo qytetarë i BE, merr informacion për vendimmarrjen në BE. Kush do, që ta përdorur këtë situatë për të nxitur protestat, për të frymëzuar dështimin e protestave, le ta marrin. Zonja Vokshi, nëse ndihesh e fyer të kërkoj ndjesë. Ndërkohë, kryetar, për të gjithë atë lum rrugaçi të një njeriu që nuk njeh as din as iman, as familje, sigurisht që unë dhe për dëmtimin e pajisjeve… në këto kështu kërkoj ndërprerje seancës deri kur të rikthehet normaliteti në sallë. Ndjesë nëse ndihet dikush i fyer",- tha Balla./Versus.al
"Për ty kam vetëm numrin me “0900"/ Plas sherri në Kuvend mes Ballës dhe Bardhit, pas një komenti të deputetit socialist për Albana Vokshin
Një përplasje verbale ka ndodhur sot në Kuvendin e Shqipërisë mes kreut të Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, dhe deputetit socialist Taulant Balla.
Balla, ndodhej në foltore duke folur lidhur me anëtarësimin e Shqipërisë në BE pa të drejtë vetoje, një fjali e tij ka tensionuar demokratët e pranishëm në seancën parlamentare.
Teksa ironizioi demokratët që nuk janë pyetur nga ana e qeverisë për këtë mundësi anëtarësimi në BE, Balla ka fyer deputeten Albana Voshki, të cilës i ka thënë: “për ty Albana kam numrin 0900”
“Rama po thotë dhe ka thënë disa herë , që ne pranojmë të futemi në BE edhe pa të drejtë vetoje, nuk e duam veton. Thamë t’ju pyesnim juve njëherë por nuk kishim kohë, realisht nuk kishim një numër telefoni tuajin, t’ju merrnim dhe t’ju thonim “si mendoni ju për ketë”. 0900, se për ty Albana kam këtë numrin, padyshim”, tha Balla.
Më pas deputetët demokratë kanë shkuar drejt foltores, situatë që solli ndërhyrjen e Gardës.
“Nuk të vjen turp, çfarë je ti more. Këtë shkoja thuaja gruas tende. Ndyrësirë, i pafytyrë. Burrë legen. Je mësuar me ato që ke në partinë tendë ti. I pafytyrë. Nxirre jashtë. Si e lejon që të fyejë një grua ai në atë formë”, iu drejtua Bardhi deputetit Balla.
/Versus.al
View this post on Instagram
Së bashku me Berishën votoi kundër shkarkimit të Spiropalit? Topalli e shpjegon: Ishte lapsus teknik

Deputetja e Partisë Demokratike, Jozefina Topalli ka sqaruar se gjatë votimi për shkarkimin e Elisa Spiropalit si ministre e Jashtme ka ndodhur një lapsus teknik. Sipas saj, gjatë momentit që po votohej, ka shtypur njëkohësisht butonin e saj dhe të Berishës që gjendej në foltore për të kërkuar fjalën.
“Në momentin e kaosit në Parlament, kur opozitës nuk po i jepej fjala, kam shtypur gabimisht dy butonat në sistem për të marrë fjalën. Kjo ka përkuar rastësisht me momentin e votimit për shkarkimin e një ministri. Bëhet fjalë për një lapsus teknik dhe jo për shprehje të vullnetit tim politik. Sqaroj gjithashtu se në atë moment z. Berisha ishte në foltore dhe nuk ka votuar.”- ka shkruar Topalli në rrjetet sociale. Versus.al
PD bllokon foltoren, socialistët votojnë ndryshimet në qeveri! Berisha e Topalli kundër shkarkimit të Spiropalit

Partia Demokratike bllokoi foltoren e Kuvendit pasi kryeparlamentari Niko Peleshi nuk i dha Berishës fjalën për procedurë. Garda e republikës ndërhyri për të mos lejuar përplasjet.
Ndërkohë, socialistët vijuan me votimin për dekretet e presidentit Bajram Begaj mbi ndryshimet në qeverinë Rama 4 ku pati emërime të reja në ministri.
Shkarkimi i ministrave
Belinda Balluku 85 vota pro, 0 kundër
Elisa Spiropali 83 vota, 2 kundër (Berisha, Topalli)
Pirro Vengu 81 vota pro, 0 kundër
Albana Koçiu 83 vota pro, 0 kundër
Besfort Lamallari 83 vota
Toni Gogu 82 vota pro, 0 kundër
Emërimet
Albana Koçiu zv/kryeministre 83 vota pro, 3 kundër
Ferit Hoxha ministër i Jashtëm 83 pro 4 kundër
Besfort Lamallari ministër i Brendshëm 83 vota pro 4 kundër
Ermal Nufi ministër i Mbrojtjes 83 vota pro 6 kundër
Toni Gogu ministër i Drejtësisë 83 vota pro 5 kundër
Enea Karakaçi ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë 83 vota pro 6 kundër
Eriona Ismaili ministre e Shtetit për Marrëdhënie me Parlamentin 82 vota pro 4 kundër. Versus.al
“Jam e habitur se i doli fjala Berishës”, Spiropali flet pas shkarkimit si ministre: Për këtë më vjen keq

Elisa Spiropali foli sot për shkarkimin e saj nga posti i ministres së Jashtme kur kishte vetëm 5 muaj që e kishte marrë si detyrë në mandatin e katërt të qeverisë së Ramës.
Spiropali tha se ndihej e qetë për punën që kishte bërë, ndërsa shtoi se e vetmja gjë për të cilën i vinte keq, ishte se largimin e saj e kishte paralajmëruar më parë Berisha.
“Flas shqip, flas troç, kam folur gjithmonë siç duhet, për Shqipërinë dhe me Shqipërinë. Është e vërtetë se ajo detyrë është nder i madh, por edhe çdo detyrë këtu në Kuvend është nder i madh. Jam e qetë, e qartë dhe e vetmja gjë për të cilën më vjen keq është se largimin e paralajmëroi Berisha në Kuvend. Vetëm për këtë jam e habitur, për asgjë tjetër”- tha Spiropali. Versus.al
28 vjetori i epopesë së UÇK-së, Kuvendi nis me 1 minutë heshtje për familjen e Adem Jasharit

Seanca plenare e Kuvendit të Shqipërisë nisi sot me një minutë heshtje për familjen e legjendarit Adem Jashari në kuadër të 28 vjetorit të epopesë heroike të UÇK-së.
28 vjet më parë, më 5, 6 dhe 7 mars 1998, forcat policore dhe ushtarake serbe sulmuan familjen e komandantit të UÇK-së, Adem Jashari, në Lagjen e Jasharëve në Prekaz të Skenderajt.Gjatë tri ditëve sa zgjatën luftimet, u vra Adem Jashari bashkë me 22 anëtarë të familjes së ngushtë dhe 33 anëtarë të lagjes dhe të afërm të tjerë. Versus.al
Kuvendi në seancë plenare, pritet votëbesimi për ministrat e rinj të qeverisë

Seanca e sotme plenare në Kuvend nis në orën 10:00 me fokus kryesor votëbesimin e ministrave të rinj të cilët ditën e djeshme u dekretuan nga presidenti Bajram Begaj pas propozimeve të kryeministrit Edi Rama.
Socialistët do të kërkojnë ndryshimin e rendit të ditës për të votuar të gjithë dekretet e Begajt për ministrat e rinj. Dje presidenti firmosi 13 dekrete, 6 shkarkime dhe 7 emërime.
Vetë Rama njoftoi ndryshimet në qeveri gjatë mbledhjes së grupit parlamentar me dyer të mbyllura.
7 ndryshimet në qeveri:
Albana Koçiu zv.kryeministre - zëvendëson Belinda Ballukun
Enea Karakaçi ministër i Infrastrukturës dhe Energjitikës - zëvendëson Belinda Ballukun
Besfort Lamallari ministër i Brendshëm - zëvendëson Albana Koçiun
Toni Gogu ministër Drejtësie - zëvendëson Besfort Lamallarin
Ferit Hoxha ministër i Jashtëm - zëvendëson Elisa Spiropalin
Ermal Nufi ministër i Mbrojtjes - ikën Pirro Vengu
Eriona Ismaili ministër për Marrëdhëniet me Parlamentin - zëvendëson Toni Gogun
Rendi i ditës në Kuvend:
I. Mbledhjen e Kuvendit në seancë plenare në datën 5.3.2026, ora 10:00.
II. Rendi i ditës i seancës plenare është si më poshtë:
1. Miratimi i procesverbalit të seancës plenare të datës 2.3.2026.
2. Njoftime.
3. Seancë pyetje – përgjigje me Ministrin e Arsimit, znj. Mirela Kumbaro, kërkuar nga deputeti Erion Braçe.
4. Seancë pyetje - përgjigje me Ministrin e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, z. Andis Salla, kërkuar nga deputeti Erion Braçe.
5. Projektligji "Për një shtesë në ligjin nr. 69/2012, "Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë", i ndryshuar".
6. Projektligji "Për ratifikimin e marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Financave (huamarrësi), dhe KfË Frankfurt am Main (KfË), për programin "Infrastruktura bashkiake V - faza II"
7. Projektligji "Për Agjencinë e Mbikëqyrjes në Sistemin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale".
8. Projektligji "Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 46/2018, "Për kontrollin shtetëror të transferimeve ndërkombëtare të mallrave ushtarake dhe të artikujve e teknologjive me përdorim të dyfishtë", të ndryshuar".
9. Projektligji "Për një ndryshim në ligjin nr. 9975, datë 28.7.2008, "Për taksat kombëtare", të ndryshuar",
10. Projektligji "Për një ndryshim në ligjin nr. 68/2017, "Për financat e vetëqeverisjes vendore"",
11. Projektvendimi "Për një shtesë në vendimin nr. 65/2025, "Për caktimin e anëtarëve zëvendësues në përbërjen e komisioneve të përhershme të Kuvendit", i ndryshuar".
12. Diskutime për çështje jashtë rendit të ditës.

