Është ndarë nga jeta në moshën 84-vjeçare aktori i njohur i kinematografisë shqiptare, Birçe Hasko, një prej emrave më të vlerësuar të skenës dhe ekranit shqiptar.
I lindur më 15 mars 1942 në fshatin Dukat të Vlorës, Hasko u formua fillimisht në shkollën pedagogjike “Jani Minga”, të cilën e përfundoi në vitin 1961. Për disa vite punoi si mësues dhe drejtor shkolle në zona të ndryshme të jugut, para se të ndiqte pasionin për artin.
Nga viti 1965 deri në 1969 studioi për aktor në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë, dhe pas diplomimit nisi një karrierë të gjatë akademike si pedagog i mjeshtërisë së aktorit, duke u bërë më vonë edhe dekan i Fakultetit të Artit Skenik në periudhën 1989–1994.
Në teatër dhe film, Hasko u dallua për interpretimet e tij të natyrshme dhe karakteret popullore, sidomos të jugut, që u bënë të paharrueshme për publikun shqiptar.
Ai ka interpretuar dhjetëra role në teatër dhe kinematografi, duke përfshirë filma dhe role të njohura si “Njeriu me top”, “Koncert në vitin 1936”, “Përrallë nga e kaluara”, “Vitet e pritjes”, “Parullat”, “Tirana viti 0” dhe shumë të tjerë, duke lënë gjurmë të forta në historinë e filmit shqiptar.
Për kontributin e tij në art, më 1989 iu dha titulli “Artist i Merituar”, në vitin 1995 u vlerësua si “Profesor”, ndërsa më vonë u nderua edhe me titullin “Mjeshtër i Madh”.
Birçe Hasko mbetet një nga figurat më të rëndësishme të artit skenik shqiptar, i kujtuar për profesionalizmin, thjeshtësinë dhe interpretimet e tij të paharrueshme.

