Lorena Venier, 62 vjeçe, ka pranuar para prokurorit se vrau dhe copëtoi djalin e saj, Alessandro Venier, me ndihmën e partneres së tij, Marilyn Castro Monsalvo, 30 vjeçe, me origjinë nga Kolumbia.
Avokati i saj, Giovanni De Nardo, konfirmoi se klientja e tij ka pranuar plotësisht krimin, duke qenë dukshëm e tronditur nga egërsia e aktit. “Kujdesi kryesor i saj,” tha avokati, “është për mbesën e saj gjashtë muajshe, duke ditur se mund të mos e shohë më kurrë fëmijën.”
“Isha unë dhe di që ajo që bëra është e tmerrshme”, ka rrëfyer 62-vjeçarja pranon para prokurorit.
Sipas autoriteteve, krimi u krye në mbrëmjen e së premtes, më 25 korrik, në shtëpinë e familjes.
Ndërkohë, është shtyrë deklarimi i Marilyn Castro, e cila akuzohet gjithashtu për përfshirje në vrasje. Avokatja e saj, Federica Tosel, deklaroi se ende nuk ka pasur qasje në dosjen e çështjes, ndërsa klientja e saj është në gjendje psikologjike të rënduar dhe ka nevojë për mbështetje, veçanërisht për shkak të foshnjës së saj gjashtëmuajshe, e cila tani është në kujdesin e shërbimeve sociale.
Sipas agjencisë italiane ANSA, krimi ndodhi brenda banesës ku jetonin tre të rriturit së bashku me foshnjën në qytetin Udine, në veri të Italisë. Ende nuk janë sqaruar plotësisht rrethanat dhe motivi i ngjarjes.
Megjithatë, sipas të dhënave, atë mbrëmje kishte pasur edhe një përplasje tjetër midis dy grave dhe Aleksandros, lidhur me mungesën e përkushtimit të tij ndaj detyrave shtëpiake dhe tensionet në familje.
Trupi i Alessandro-s u gjet i copëtuar brenda një koshi plastik në depo të shtëpisë, i mbuluar me gëlqere për të parandaluar erën e keqe. Shkaqet e sakta të vdekjes dhe kronologjia e ngjarjeve do të përcaktohen nga ekspertiza mjeko-ligjore dhe analizat toksikologjike.







