Irani planifikon të bashkëpunojë me Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA) pavarësisht kufizimeve të vendosura nga parlamenti i tij, tha të shtunën Ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi.
Megjithatë, ai theksoi se qasja në objektet bërthamore të bombarduara paraqet rreziqe për sigurinë.
Ligji i ri përcakton që çdo inspektim i ardhshëm i objekteve bërthamore të Iranit nga IAEA kërkon miratimin e Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare të Iranit.
"Rreziku i shpërndarjes së materialeve radioaktive, si dhe rreziku i eksplozivëve të mbetur në objekte, është serioz", cituan mediat shtetërore të thoshte Araghchi. Ai shtoi se "për ne, inspektorët e IAEA-s që i afrohen objekteve bërthamore kanë një dimension sigurie, ndërsa siguria e vetë inspektorëve është një çështje që duhet të merret në konsideratë".







