Bisedimet për paqe mes Ukrainës dhe Rusisë po zhvillohen në një atmosferë gjithnjë e më të tensionuar, me Kievin që akuzon hapur Moskën për mungesë transparence dhe vullneti. Ukraina ka dorëzuar zyrtarisht një plan paqeje me 22 pika, ku ndër pikat kryesore kërkohet një armëpushim i menjëhershëm në tokë, det dhe ajër, nën monitorim ndërkombëtar, ndërsa Rusia refuzon të publikojë qëndrimin e saj para takimit të radhës, i parashikuar për të hënën në Stamboll.
Ministri i Jashtëm ukrainas, Andrii Sybiha, në një konferencë për shtyp me homologun turk Hakan Fidan në Kiev, theksoi se Rusia nuk ka dorëzuar ende memorandumet e saj, duke ngritur dyshime për sinqeritetin e saj në procesin e negociatave.
“Nuk mund të ulemi në tryezë me ‘kartat e mbyllura’. Një takim mund të jetë produktiv vetëm nëse të dyja palët paraqesin paraprakisht pozicionet e tyre zyrtare,” deklaroi Sybiha.
Përballë kësaj, Kremlini përmes zëdhënësit Dmitry Peskov tha se memorandumi rus nuk do të bëhet publik, dhe se ai do të dorëzohet vetëm gjatë takimit. Sipas burimeve në Kiev, Rusia mund të përpiqet të “minojë procesin” duke imponuar kushte të papranueshme, si për shembull tërheqja e Ukrainës nga territore që aktualisht mban nën kontroll, duke ia faturuar pastaj dështimin e negociatave palës ukrainase.
Për dallim nga kjo qasje, SHBA-të kanë vlerësuar planin ukrainas si të arsyeshëm. Dërguari i posaçëm i ish-presidentit Trump për Ukrainën, Keith Kellogg, konfirmoi se Washingtoni ka marrë propozimin prej 22 pikash dhe e cilësoi atë si “të shkruar mirë dhe të balancuar”. Megjithatë, ai paralajmëroi Kievin të mos hezitojë pjesëmarrjen në takimin e Stambollit, pavarësisht mungesës së transparencës nga ana e Rusisë.
“Serioziteti tregohet me pjesëmarrje. Mos e ktheni tryezën përmbys vetëm pse nuk keni parë letrat e tjetrit,” tha Kellogg.
Interesant është fakti që, ndonëse mbështeti përpjekjet e Ukrainës për armëpushim, Kellogg i cilësoi disa shqetësime të Rusisë – përfshirë zgjerimin e NATO-s – si të arsyeshme, duke theksuar se anëtarësimi i Ukrainës në NATO nuk është aktualisht në diskutim.
Ndërkohë, Moska po përgatit një listë me kushte për një armëpushim të përkohshëm, që sipas Peskovit do të përfshijë edhe çështje sigurie në Detin e Zi. Kremlini shton se është e hapur për një takim mes Putinit, Zelenskyt dhe Donald Trump, por vetëm pas një “përgatitjeje serioze”.
Për momentin, bisedimet e së hënës pritet të jenë vendimtare – ose për të afruar një armëpushim real, ose për të thelluar më tej hendekun mes palëve, në një luftë që po hyn në një fazë kritike. Versus.al







