BOTA /

Armëpushimi Izrael-Iran nën hijen e Khameneit – Brishtësia e paqes dhe frika në Teheran

Burime nga BBC dhe New York Times raportojnë se Ajatollah Khamenei, 86 vjeç, është i fshehur në një bunker të siguruar, ndërsa udhëheq vendin në mënyrë indirekte përmes një ndihmësi të besuar, duke shmangur çdo komunikim elektronik për të evituar zbulimin apo atentatet.

Shkruar nga Versus

 

Armëpushimi Izrael-Iran nën hijen e Khameneit – Brishtësia

Armëpushimi i shpallur një ditë më parë nga presidenti amerikan Donald Trump mes Izraelit dhe Iranit mbetet i brishtë dhe i pasigurt, pasi sinjalet nga Teherani janë të përziera, ndërsa udhëheqësi suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, nuk e ka konfirmuar ende publikisht marrëveshjen.

Trump, i cili vetë deklaroi se kishte bindur palët për një ndalim të përkohshëm të luftimeve, u detyrua të ndërhynte sërish publikisht pas një shkeljeje fillestare të armëpushimit. Ai u bëri thirrje të dyja palëve që të respektojnë angazhimet, duke theksuar se “të dy janë të lodhur dhe duan të shkojnë në shtëpi”.

Khamenei i fshehur në bunker – Udhëheqja në hije

Burime nga BBC dhe New York Times raportojnë se Ajatollah Khamenei, 86 vjeç, është i fshehur në një bunker të siguruar, ndërsa udhëheq vendin në mënyrë indirekte përmes një ndihmësi të besuar, duke shmangur çdo komunikim elektronik për të evituar zbulimin apo atentatet.

Sipas tre zyrtarëve iranianë, udhëheqësi suprem ka përgatitur plan emergjent të pasardhësve në rast se ndodhin vrasje të figurave kyçe ushtarake. Ai ka përzgjedhur tre klerikë të lartë si pasues të mundshëm, një veprim që rrallë është bërë publik në regjimin e Republikës Islamike dhe që tregon se Khamenei e konsideron situatën jetike për mbijetesën e sistemit.

Analiza: Një “kupa e hidhur” si në vitin 1988

Sipas Sanam Vakil, drejtore në Chatham House, dilemat e tanishme të Khameneit janë po aq të rënda sa ato të vitit 1988, kur Irani u detyrua të pranonte armëpushim me Irakun pas një lufte shkatërrimtare tetëvjeçare.

“Kupa e tij sot është ndoshta më e hidhur. Kjo nuk është thjesht një çështje lufte – është çështje trashëgimie, legjitimiteti dhe mbijetese të Republikës Islamike,” – thotë Vakil.

Goditjet më të rënda që nga vitet ’80

Sulmet e fundit të ndërmarra nga Izraeli dhe SHBA mbi Teheranin kanë qenë ndër më të fuqishmet që nga lufta me Irakun. Zyrtarë iranianë pranojnë se intensiteti dhe dëmi i shkaktuar në pak ditë ka tejkaluar atë që Sadam Husseini arriti në të gjithë periudhën e luftës.

Dëmet janë jo vetëm fizike, por edhe psikologjike dhe politike, pasi ato kanë tronditur vetë qendrën e vendimmarrjes së Iranit dhe kanë shfaqur brishtësinë e një sistemi që deri tani e ka prezantuar veten si të pamposhtur.

Paqe e paqëndrueshme në Lindjen e Mesme

Ndërkohë që Trump përpiqet ta shesë këtë armëpushim si një sukses diplomatik, mungesa e një angazhimi të qartë nga Teherani, sidomos nga vetë Khamenei, lë shumë dyshime për jetëgjatësinë e marrëveshjes.

Paqja aktuale është më shumë një pushim i armatosur sesa një zgjidhje politike. Nëse nuk vjen një deklaratë e drejtpërdrejtë dhe e fortë nga udhëheqësia iraniane, përfshirë dhe aprovimin zyrtar të Gardës Revolucionare, armëpushimi mund të shembet sa hap e mbyll sytë. /Versus.al/

Poll