
BE-ja do të mbajë takimin e radhës të ministrave të jashtëm dhe të mbrojtjes në Bruksel në vend të Budapestit duke dhënë një goditje "simbolike" ndaj Hungarisë për diplomacinë e saj në raport me luftën në Ukrainë.
Lajmin e dha shefi i politikës së jashtme, Josep Borrell. Ndryshimi i vendndodhjes për takimin e 28-30 gushtit është një goditje e reputacionit për Hungarinë vetëm disa javë pasi ajo mori presidencën e rradhës të Bashkimit Evropian.
Kryeministri hungarez Viktor Orban ka zemëruar pothuajse të gjithë partnerët e tij të BE-së duke kryer diplomaci të shkëputur me Moskën për të eksploruar rrugën për t'i dhënë fund luftës së Rusisë në Ukrainë.
Orban, i cili është aleati më i ngushtë i presidentit rus Vladimir Putin në bllok, ka akuzuar gjithashtu BE-në se ka një "politikë pro luftës" duke mbajtur mbështetjen ushtarake dhe financiare për Kievin. Ai ka bllokuar në mënyrë të përsëritur përpjekjet e Brukselit për të ndëshkuar Kremlinin dhe për të ndihmuar Ukrainën në luftën e saj kundër forcave pushtuese.
"Mund të them se të gjitha vendet anëtare, me një përjashtim të vetëm, janë shumë kritikë në lidhje me këtë sjellje," tha Borrell pas kryesimit të një takimi të ministrave të jashtëm të BE në Bruksel. Versus.al








